Kthehen shtetasit maqedonas që ndodheshin afër Manastirit në Banjskë

Oficerët e policisë së Kosovës duke patrulluar në një rrugë për në Manastirin e Banjskës, afër Zveçanit, Kosovë, 25 shtator 2023.

Shtatë shtetasit maqedonas që gjendeshin në një hotel afër Manastirit në Banjskë, ku ndodhi sulmi ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të hënën nën shoqërimin e policisë, janë kthyer në Maqedoninë e Veriut.

Njoftimi është bërë i ditur nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sipas të cilit, shtetasit maqedonas janë lënë të lirë pas intervistimit dhe analizave të tjera nga Policia e Kosovës.

“Pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga Policia e Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes qytetarët tanë janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga Policia e Kosovës. Rrethanat, në të cilat u gjendën, ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë”, ka njoftuar Osmani në rrjetin social Facebook.

Osmani ka thënë se, lidhur me këtë rast, ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës, të cilat “garantuan sigurinë e qytetarëve tanë”.

Ai nuk ka dhënë detaje tjera mbi qëndrimin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut në afërsi të Manastirit në Banjskë.

Autoritetet maqedonase, ndërkohë, e kanë dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe kanë shprehur keqardhje për vrasjen e policit Afrim Bunjaku.

“Sigurisht se pas asaj që ndodhi të dielën në Kosovë, ka ndonjë agjendë të dikujt që do që rajonin sërish ta shohë si një zonë të trazirave, rajon të zënkave mes fqinjëve, por për fat të mirë ka politikanë, ashtu siç ka edhe te ne dhe në Shqipëri, por besoj edhe në gjitha shtetet në rajon, që duan ta shohin rajonin të integruar në BE”, ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Veç kësaj, Shkupi zyrtar vlerëson se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë intensivisht që të gjitha çështjet t’i zgjidhin me dialog.

“Ne absolutisht e dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës, shprehim keqardhjen për familjen e policit të vrarë dhe shpresojmë në shërimin më të shpejtë të të plagosurve. Kjo është vetëm një dëshmi tjetër se Beogradi dhe Prishtina duhet të punojnë intensivisht në dialog para se të jetë tepër vonë. Përgjegjësia e secilit prej nesh që ka poste politike është që të marrim vendime që do të sjellin paqe dhe prosperitet për qytetarët dhe nuk do të krijojnë konflikte dhe përçarje. Prioriteti ynë është që gjendja në Kosovë dhe në rajon të jetë stabile për të vazhduar proceset, veçanërisht proceset integruese”, ka deklaruar ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, pas takimit në Shkup me ministrin e Mbrojtjes të Norvegjisë, Bjorn Arild Gram.

Norvegjia dënon sulmin e djeshëm ndaj policëve të Kosovës dhe dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e të vdekurve. Ky incident tragjik ilustron rëndësinë e uljes së tensioneve në veri të Kosovës..."

Ajo ka thënë se “incidenti dhe ajo që po ndodh në Kosovë nuk ka asnjë ndikim të drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit të Maqedonisë së Veriut”.

“Këtë e garanton edhe fakti që jemi vend anëtar i NATO-s dhe se në periudhën e kaluar kemi investuar shumë në mbrojtje. Megjithatë, sigurisht se secili prej institucioneve tona e ka obligim që të kontribuojë në sigurinë tonë”, ka thënë Petrovska.

Edhe ministri i Mbrojtjes i Norvegjisë, Bjorn Arild Gram, e ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës duke theksuar se “sulme të tilla janë të papranueshme”.

Ai ka bërë thirrje që palët, Prishtina dhe Beogradi "t’i përmbushin obligimet e tyre dhe përsëri t’i kthehen dialogut".

“Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Norvegjia dënon sulmin e djeshëm ndaj policëve të Kosovës dhe dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e të vdekurve. Ky incident tragjik ilustron rëndësinë e uljes së tensioneve në veri të Kosovës dhe dialogu politik duhet të rifillojë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes i Norvegjisë.