Kosova është i vetmi vend në rajon i cili nuk aplikon shtesat për fëmijë. Një rezolutë e Kuvendit të Kosovës e vitit 2018, e cila kërkon nga qeveria të hartojë legjislacionin për ndarjen e këtyre mjeteve finaciare për fëmijët, nuk është realizuar deri më tani.
Ndarja e shtesave për fëmijë ishte kërkuar të fillojë gjatë vitit 2019. Ndërkaq, shuma mujore duhet të kategorizohet duke marrë parasysh kriteret përkatëse, si të hyrat familjare, punësimin e prindërve dhe moshën e fëmijëve.
SHIKONI EDHE: Shtesat për fëmijë, në një të ardhme të afërtNë atë kohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin rekomanduar që shuma mujore e shtesave për fëmijë të jetë prej 10 euro dhe të përfshijë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç dhe nga kjo ishte llogaritur ta përfitojnë rreth 500 mijë fëmijë.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, thotë se kanë vlerësuar se zbatimi i kësaj rezolute do të krijonte një kosto prej rreth 60 milionë euro në vit, dhe si e tillë është e papërballueshme për buxhetin e shtetit.
Buxheti i Kosovës i vitit 2019, kur ishte kërkuar të fillonte ndarja e shtesave për fëmijëve kishte vlerën e mbi 2 miliardë euro. Një vlerë të njëjtë buxheti i Kosovës kishte edhe në vitin 2020.
Shtesa për 80 mijë fëmijë të familjeve me ndihmë sociale
Në pamundësi buxhetore për të shpërndarë shtesa për të gjithë fëmijët në Kosovë, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se është përzgjedhur opsioni që do të përfshijë zbatimin e shtesave prej 10 euro për fëmijë deri në moshën 18 vjeçare, por vetëm për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës sociale. Një koncept-dokument i tillë tashmë është aprovuar nga qeveria, më 14 shtator.
SHIKONI EDHE: Për një vit, skemave të asistencës sociale iu shtuan edhe 2.500 familje“Me aprovimin e këtij koncept-dokumenti, do të hartohet Ligji i ri i skemës së ndihmës sociale dhe me hyrjen në fuqi do të fillohet dhe me zbatimin e shtesave të fëmijëve, ku planifikohet të përfitojnë rreth 80 mijë fëmijë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Por, të gjitha këto ndryshime ligjore për të përfituar këto mjete nuk ka ndonjë datë se kur mund të ndodhin.
Ministria e Punës nuk jep përgjigje nëse është planifikuar ky shpenzim në buxhetin e vitit 2021.
Kosova, vendi i vetëm në rajon pa shtesa të fëmijëve
Derisa Kosova ende nuk ka asgjë definitive për shtesat e fëmijëve dhe se për këtë ende pritet të hartohet legjislacion dhe të përcaktohen mënyrat e financimit, vendet e rajonit e kanë të rregulluar këtë çështje.
Mali i Zi aplikon shtesa për fëmijët në vlerë prej 23 euro deri në 40 euro, Serbia nga 25 deri në 46 euro, Bosnje e Hercegovina prej rreth 17 euro deri në 40 euro, varësisht nga vendi ku jetojnë. Po ashtu, edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut aplikojnë shtesat për fëmijë.
Shtesat e fëmijëve për të gjithë
Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, që nga viti 2015 ka kërkuar që në skemat sociale të përfshihen edhe shtesat për fëmijë.
Klevis Vajçari nga kjo organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se shtesat për fëmijë përveç tjerash do të ndihmonin edhe në zbutjen e varfërisë.
“Sa i përket modelit do të duhet që kjo shtesë për fëmijë të jetë për të gjitha fëmijët, të gjitha kategoritë. Shteti i Kosovës duhet të analizojë pa dëmtuar buxhetin dhe të aprovojë një model. Modeli më i mirë është të ofrohen shtesa për të gjithë fëmijët nga 0 deri 18 vjeç”, thotë ajo.
SHIKONI EDHE: Mbijetesa e varur nga asistenca socialeNismën për shtesat e fëmijëve e pati iniciuar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi.
Në një pronocim për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se ka kërkuar së fundi edhe nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që të jepen detaje se kur mund të realizohet ndarja e shtesave për fëmijë.
“Ndarja e shtesave për fëmijë duhet të ndodh. Ky do të ishte një hap i duhur sidomos tani në kohë pandemie kur nevojat për përkrahje shtetërore janë rritur, pasi që kriza ekonomike e sociale është thelluar si pasojë e gjendjes në të cilën jemi tash e 6 muaj”, thotë ajo, duke shtuar se do të vazhdon të përkushtohet derisa kjo rezolutë për shtesat e fëmijëve të zbatohet në tërësi.
Të gjitha qeveritë e Kosovës nga viti 2018, kishin premtuar se do të realizonin këtë rezolutë dhe do të mundësonin shtesat e fëmijëve.
Qeveria aktuale me kryeministër Avdullah Hoti, në programin qeverisës në pikën e 13 ku flitet për mbrojtjen sociale, ka paraparë edhe shtesat për fëmijë.