Arrestohet personi që përplasi automjetin afër Shtëpisë së Bardhë

Shtëpia e Bardhë. Fotografi nga arkivi.

Një person që përplasi një automjet afër portave të Shtëpisë së Bardhë, po përballet me akuza të shumta penale, tha policia amerikane.

Autoritetet amerikane deklaruan se ka gjasa që incidenti të ketë qenë i qëllimshëm.

Sipas njoftimit të policisë amerikane, i dyshuari po akuzohet për kërcënim me vrasje, rrëmbim apo shkaktim i lëndimeve ndaj presidentit, nënpresidentes apo familjarëve të tyre. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit.

I dyshuari u arrestua pas incidentit që ndodhi të hënën mbrëma, tha Shërbimi Sekret amerikan, duke shtuar se nuk ka ndonjë rrezik pas kësaj ngjarjeje.

Sipas një dëshmitari që foli për Reuters, automjeti, që i dyshuari kishte marrë me qira, u përplas në rrethojat e sheshit Lafajet, që gjendet pranë Shtëpisë së Bardhë. Hetuesit i kanë gjetur të dyshuarit një flamur me simbole naziste.

“Sipas hetimeve të para, shoferi mund të ketë përplasur qëllimshëm automjetin në rrethojat e sheshit Lafajet”, shkroi në Twiter zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi.

I arrestuari po ashtu po përballet me akuza të sulmit me armë të rrezikshme, dëmtim të pronës private dhe drejtim të pakujdesshëm të automjetit.

Televizioni WUSA transmetoi një video të policisë duke iu afruar një automjeti të tipit U-Haul. Në video shihet se si dera e këtij automjeti hapet nga një robot i telekomanduar.

Chris Zaboji, i cili ishte dëshmitar i kësaj ngjarjeje, publikoi një video të shkurtër në mediat sociale, që tregonte momentin kur automjeti u përplas për rrethoja.

“Shikova pas dhe pashë automjetin duke u përplasur në barrikadë”, tha ai, duke shtuar se më pas automjeti u përplas sërish për rrethojat e sheshit.

Vendndodhja e saktë e presidentit amerikan, Joe Biden, në momentin e incidentit, që ndodhi pak para orës 22:00, nuk dihet. Ai ishte takuar më parë me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Kevin McCarthy, në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje.