Motra e gruas së vrarë: Ajo ishte vazhdimisht viktimë e dhunës

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Motra e gruas shtatzënë, që është vrarë më 30 nëntor në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë për mediat se viktima ka qenë vazhdimisht viktimë e dhunës në familje.

Autoritetet kanë thënë se vrasës dyshohet se ka qenë bashkëshorti i saj, dhe viktima besohet se ishte rreth moshës 35-vjeçare.

Sipas familjares së saj, viktima ka qenë e martuar për tre muaj me bashkëshortin e saj, mirëpo vazhdimisht ka qenë nën presion.

“Nuk e kanë lënë që të vijë asnjëherë te shtëpia e babait që të bëhemi bashkë ne motrat”.

Sipas motrës së saj, viktima ishte planifikuar që të kryente lindjen më 1 dhjetor.

“Unë kam folur një ditë më parë në telefon dhe me të dhe e kam pyetur nëse është mirë, ajo më tha se është mirë dhe që të nesërmen do ta kryejë lindjen me operacion në orën 09:00”.

Ajo ka thënë se motra e saj e ka lajmëruar dhunën edhe te autoritetet e rendit dhe ligjërisht i është ofruar mbrojtje.

“Ajo ka thënë se ka mbrojtje, por askush në mbrojtje nuk i ka dalë”.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se viktima ka pasur urdhër për mbrojtje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka konsideruar papërgjegjësi institucionale këtë vrasje dhe ka thënë se “sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mund të ishte parandaluar”.

“Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave".

Sipas vendimit, urdhri për mbrojtje i ishte lëshuar për gjashtë muaj, përkatësisht prej 13 gushtit të këtij viti deri më 13 mars të vitit të ardhshëm.

SHIKONI EDHE: Gruaja e vrarë në Prishtinë kishte urdhër për mbrojtje

Sipas Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, urdhri për mbrojtje lëshohet “me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë në kryerjen e veprave tjera”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur po ashtu se i dyshuari për kryerjen e vrasjes është shpallur fajtor këtë vit për posedim të paautorizuar të armës dhe ka aktakuzë për veprën penale të kanosjes.

Sipas komunikatës, Gjykata ka refuzuar kërkesën e të pandehurit për hedhje poshtë të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ministrja Haxhiu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, qendrat për punë sociale dhe institucionet tjera, kanë marrë përgjegjësi për të verifikuar çdo veprim institucional të lidhur me këtë vrasje.

SHIKONI EDHE: Ministrja e Drejtësisë për vrasjen e gruas shtatzënë: Është papërgjegjësi institucionale

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se nga momenti kur ka ndodhur rasti ka kërkuar raporte të detajuara nga institucionet e rendit që nga pranimi i informatës së parë zyrtare, deri në momentin e aktit makabër.

“Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti, në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë gjithashtu se ka kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim maksimal për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të “kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili”.

PK-ja e ka shpallur në kërkim të dyshuarin për vrasjen e gruas shtatzënë, Sokol Halili, për të cilin ky organ po kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e tij.

Viktima është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë.

Më 25 nëntor është raportuar se një burrë e ka vrarë gruan e tij me sëpatë në një lagje të Prishtinës.

Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Your browser doesn’t support HTML5

“As edhe një më shumë!”: Nis fushata kundër dhunës

Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur viteve të fundit.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, gjatë periudhës janar-tetor 2022, janë regjistruar 2.273 raste të dhunës në familje.

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112