Shqipëria nuk hap negociatat këtë vit

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Tiranë, 18 prill, 2018.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të rishikojnë hapjen e negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen evropiane, në qershor të vitit 2019, edhe pse pritej që këto të fillonin në qershor të këtij viti.

Shqipërisë i ishte dhënë statusi i kandidatit për Bashkim Evropian në vitin 2014 dhe ka pritur fillimin e negociatave për anëtarësim në qershor të vitit 2018.

Shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë mbështetur hapjen e negociatave të Shqipërisë menjëherë. Megjithatë, Franca dhe Holanda e kanë kundërshtuar këtë hap, duke thënë se ata duan t’i shohin reformat e realizuara, para se të çelen negociatat.

Për t’u siguruar se janë arritur përparime të mjaftueshme, vendet anëtare të BE-së do të votojnë përsëri për të miratuar hapjen e bisedimeve vitin e ardhshëm.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, tha se konkluzionet e Këshillit mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri.

Ai ftoi të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim, duke shtuar se vendi ka sfida serioze para vetes.

“Kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë. Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Evropian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë”, ka shkruar në Facebook presidenti Meta.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook tha se rezultatet e reformave të Shqipërisë bënë që edhe me skeptikët t’i njohin meritën vendit.

Megjithatë, opozita e Shqipërisë e sheh si dështim të zbatimit të reformave shtyrjen e hapjes së negociatave për vitin tjetër.

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërise, Lulzim Basha, përmes një postimi ne Facebook tha se “Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë”.

Pas kritikave t’i drejtuara Qeverisë Rama për shtyrjen e negociatave për anëtarësim, ky i fundit përmes një postimi tjetër në rrjetet sociale tha se “pas dakordësisë aspak të lehtë për datën e çeljes së negociatave me Shqipërinë, esadistët e rinj të Shqipërisë hidhnin gurët e akuzave të tyre vulgare kundër qeverisë si fajtore për një dështim imagjinar në Europë!”.

Komisioneri për zgjerim i BE-së Johannes Hahn, tha në Twitter se është “i lumtur që Këshilli i Evropës sheh një dritë për konkluzionet e zgjerimit për Shqipërinë dhe të ardhmen e Maqedonisë Veriore, pas një debati të gjatë. Çështja e hapjes së negociatave është e qartë në qershor 2019. Sinjal kyç për rajonin është progresi i kërkuar dhe vendimtare për besueshmërinë e BE-së”.

Megjithatë, gjatë një vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor në muajin shkurt të këtij viti, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker kishte thënë se para se të pranohen në BE, këto vende duhet të kryejnë reforma politike, të zbatojnë rendin dhe ligjin, të luftojnë korrupsionin dhe të zgjidhin problemet me demarkimin e kufijve mes vete.

Edhe shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini gjatë një vizite në Shqipëri në prill të 2018-s kishte thënë se Shqipëria ka arritur përparime të dukshme, por i duhet të vazhdojë të thellojë reformat dhe duhet të vazhdojë të punojë në pesë prioritetet që përfshijnë: reformën në administratën publike, efikasitetin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e mbështetjen e të drejtave të njeriut.

Bashkimi Evropian për momentin ka 28 vende anëtare, megjithëse Britania pritet të largohet në mars të vitit 2019.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë e cila është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, aspirojnë të bëhen pjesë BE-së, por atyre u janë kërkuar reforma të thella për të arritur të hyjnë në familjen evropiane.