Shqiprim Arifi thotë se u shkarkua “në mënyrë arbitrare” nga udhëheqja e Preshevës

Shqiprim Arifi. Fotografi nga arkivi.

Shqiprim Arifi tha se autoritetet në Serbi “në mënyrë arbitrare”, në mesnatë e kanë shkarkuar nga posti i kryetarit të komunës së Preshevës.

Ndërkaq, në vendimin e Qeverisë serbe të 18 prillit thuhet, pa dhënë arsye, se është shpërndarë Kuvendi Komunal i Preshevës, dhe është paralajmëruar krijimi i një organi të përkohshëm.

Arifi më 20 prill tha se është krijuar një organ i përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme dhe në krye të Preshevës – komunë në jug të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare – është vendosur Ragmi Mustafa.

“Ka disa kohë që [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiq kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shkarkimi i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedurë ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor”, shkroi Arifi në llogarinë e tij në Facebook.

Arifi dhe partia e tij, Alternativa për Ndryshim, u dënuan nga një gjykatë në Vranjë të Serbisë me një gjobë prej 470 eurosh për vendosjen e flamurit të Shqipërisë në zyrat e partisë në Bujanoc më 27 nëntor 2022, një ditë para përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Në vendim u tha se ai dhe partia e tij u gjetën fajtorë pasi në orën 21:05 të 27 nëntorit të vitit 2022 “kanë shfaqur flamurin e një shteti të huaj, Shqipërisë, pa e shfaqur flamurin e Serbisë”. Me këtë, tha gjykata, Arifi dhe partia e tij, kanë shkelur ligjin që rregullon përdorimin e flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare të Serbisë.

Arifi për shkarkimin e tij fajësoi edhe eksponentë politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – të cilët i akuzoi se janë bërë “vegël e lehtë për Vuçiqin dhe Serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës”.

Ndryshe, për shkak të mosmarrëveshjeve mes partie shqiptare politike, tash e sa vjet në Preshevë ka pasur jostabilitet politik në pushtetin lokal.

Presheva është një prej tri komunave në jug të Serbisë, ku popullsia shumicë është shqiptare.

Shqiptarët në Serbi janë pakicat e katërt kombëtare, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2022. Në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

SHIKONI EDHE: Regjistrimi tregoi se shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi

Partitë politikë dhe banorët shqiptarë shpesh janë ankuar se autoritetet serbe po tentojnë të ulin numrin e shqiptarëve që jetojnë në Serbi, përmes pasivizimit të adresave të tyre.