Qeveria e Shqipërisë ka deklaruar emergjencë për furnizimin me energji elektrike, pas rritjes së çmimit të energjisë në javën e fundit.
Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, tha se shpallja e emergjencës për furnizimin me energji elektrike, i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumenta financiarë dhe administrativë.
“Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë, qoftë me instrumenta financiarë, qoftë edhe me instrumenta të natyrës administrative. Kështu që sot, me këtë vendim, i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm, për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëj publik nesër”, tha kryeministri Rama.
SHIKONI EDHE: Çmimet globale rrisin çmimet e produkteve në KosovëTeksa e krahasoi situatën e ngjashme me krizën e pandemisë, Rama tha se plani i masave do të synojë të mbrojë konsumatorët me një rend prioritar, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë dhe duke shkuar lart, përmes biznesit të vogël e më tej atij të madh.
“Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë, në këtë kuptim, të gjithë janë të prekur. Ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me kulmin e saj, deri në mesin e vitit të ardhshëm”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, ekspertët kanë parashikuar se kriza do të vijojë deri në mesin e vitit të ardhshëm, kur pritet të arrijë pikun, por edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen atje ku ishin përpara krizës.
“Ne na takon të mbrojmë konsumatorët me një rend prioritar, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë dhe duke shkuar lart përmes biznesit të vogël dhe atij që ka më shumë të ardhura, nga më të dobëtit tek më të fortët”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Basha: Nuk ka krizë energjetike por krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha tha se nuk ka krizë energjetike, por e quajti “një krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe plan” ngritjen e çmimeve nëpër të cilën po kalon Shqipëria.
“I keni bilancet e operatorëve të energjisë, i keni parë se si në verë shesin me çmim të ulët energjinë e prodhuar nga uji – nga burimet hidrike të shqiparëve dhe e blenë me 3-4 fshih të çmimit pak muaj më vonë, me tendera korruptiv, duke shpërdoruar taksat që ua mbledhin kacidhe më kacidhe shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati i quajti ndërmarrje të zhytura në korrupsion dhe kilentelizëm OSHEE-në dhe KESH-in, që janë distributorët e energjisë elektrike në Shqipëri.
“Nuk ka thatësirë, por ka një bollëk për Edi Ramën dhe për hajdutët e KESH-it e OSHEE-së prej 10 milionë eurosh të pajustifikuara, midis çmimit të tregut dhe sa e blejnë këta energjinë”, tha Basha.
Muajt, por sidomos javës së fundit, Shqipëria është përballur me rritje ekstreme të çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe të benzinës e gazit, si pasojë e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike. Produktet bazike u shtrenjtuan në formë zinxhirore, pas ngritjes së çmimit të energjisë.
Një bukë, nëse e ka pasur çmimin 100 lekë (0.82 euro) – brenda natës u bë 120 lekë (0.99 euro). Krahasuar me vitin e kaluar në këtë kohë, një kilogram patate që ishte 50 lekë (0.41 euro), sot kushton 100 lekë.
Gazi që kishte çmimin rreth 50 lekë (0.41 euro), tani është rreth 90 lekë (0.74 euro).
Familje në të gjithë Evropën, përballen këtë dimër me fatura shumë më të larta të energjisë, për shkak të rritjes globale të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit.
SHIKONI EDHE: Pse Evropa përballet me rritje të faturave të rrymës dhe gazit?Grupet e konsumatorëve paralajmërojnë se më të cenueshmit në rajon, mund të përballen edhe me mungesa karburantesh.
Kompanitë e energjisë, paguajnë një çmim gjithëpërfshirës për të blerë gaz dhe energji elektrike dhe më pas ua shesin konsumatorëve. Si në çdo treg, çmimi mund të rritet ose të ulet, varësisht nga oferta dhe kërkesa.
Çmimet zakonisht rriten në përgjigje të kërkesës më të madhe për ngrohje, ndërsa në periudhën e verës, janë zakonisht më të ulëta.
Por, ato tashmë janë rritur për shkak të rezervave të vogla të magazinimit të gazit, çmimeve të larta të karbonit në Bashkimin Evropian, furnizimeve më të vogla me gaz të lëngshëm për shkak të kërkesave më të mëdha në Azi, më pak furnizimeve me gaz nga Rusia dhe prodhimit më të vogël të energjisë së rinovueshme.
Çmimet standarde të gazit evropian në qendrën holandeze TTF, janë rritur për më shumë se 250% qysh në janar, ndërsa kontratat standarde të Gjermanisë dhe Francës për rrymë janë dyfishuar.