Shqipëria riatdhesoi 19 persona nga Siria

Kampi Al-Hol. Siri, 1 prill 2019.

Në Shqipëri, të dielën janë riatdhesuar 14 fëmijë dhe pesë gra, që gjendeshin në kampin Al-Hol në Siri.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se ky ishte një operacion i ndërlikuar, por që autoritetet do të vazhdojnë përpjekjet që të kthejnë edhe persona të tjerë.

“Është vërtetë një ngjarje pozitive dhe sigurisht që ne nuk do të ndalemi këtu. Ka edhe një operacion tjetër potencial për t’u zhvilluar, me një numër që ende nuk e dimë saktësisht sepse është një punë terreni për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden. Por, llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, në mos pak më i vogël”, tha Rama.

Shqipëria është vendi i dytë në rajon që krahas Kosovës kanë bërë riatdhesimin e qytetarëve pjesëmarrës në luftërat në Siri. Në të dyja vendet, të kthyerit nga këto vatra lufte u nënshtrohen proceseve gjyqësore dhe programeve të rehabilitimit dhe reintegrimit.

Fillimisht të riatdhesuarit do të vendosën në Durrës për ekzaminim shëndetësor para se t’iu kthehen familjeve ose qendrave të specializuara.

Të kthyerit nga kampi sirian Roj, që kishin kaluar kohë paraprakisht në kampin famëkeq al-Hol, u pritën në dalje të avionit special në pistën e aeroportit të Rinasit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Bledi Cuci, të cilët shoqëruan fëmijët drejt aeroportit.

Kryeministri Rama po ashtu tha se kanë identifikuar dy persona, të cilët kanë refuzuar që të riatdhesohen dhe shtoi se tërheqja me forcë e personave që refuzojnë të kthehen, është "e pamundur".

Ndërkaq, drejtori i departamentit anti-terror pranë policisë shqiptare Gledis Nano njoftoi se të shqiptarët e mbetur në kampet e Shtetit Islamik nuk janë treguar aspak bashkëpunues me autoritetet shqiptare dhe se zyrtarët shtetëror po punojnë në identifikimin e vendndodhjes së atyre që i kanë mbijetuar disfatës së grupit militant, Shteti Islamik.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria organizon riatdhesimin e qytetarëve të saj që iu kishin bashkëngjitur organizatave terroriste në Siri dhe Irak gjatë periudhës 2012-2015.

Numri i përgjithshëm i të kthyerve nga kampet e IS-it në Shqipëri arrin në 24, por mbetet e paqartë se cili është numri i përgjithshëm i shtetasve shqiptarë që mbesin në këto kampe.

Rreth 70 shtetas shqiptarë besohet se i janë bashkuar organizatës terroriste Shteti Islamik, ndonëse konfirmim zyrtar të numrit të tyre nuk ka.