Qeveria e Shqipërisë do t’i japë Kosovës 7,680 megavatë energji elektrike për datën 31 dhjetor dhe 1 janar, në një përpjekje për të ndihmuar vendin që po përballet me krizë të energjisë elektrike.
“Pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës kemi arritur që të sigurojmë 3,600 megavatë për datën 31 dhjetor, dhe 4,080 megavatë orë për datën 1 janar”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.
Ministrja Balluku bëri të ditur se energjia do i jepet Kosovës në formën e depozitimit, pa asnjë efekt financiar.
“Kjo sasi do i kthehet pas Shqipërisë nga Kosova në sezonin e verës gjatë periudhës nga qershori në shtator kur vendi ndodhen ne thatësi dhe ka mungesë të rezervave hidrike”, tha Balluku.
Më herët gjatë ditës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se ka kërkuar nga Ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për Qeverinë e Kosovës për të përballuar këtë krizë së paku për dy ditët e festës së Vitit të Ri.
Rama tha se është duke e ndjekur me shqetësim krizën me energji elektrike në të cilën po kalon Kosova.
“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjetike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga Ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për Qeverinë e Kosovës, që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve”, shkroi Rama në Twitter.
Ai tha së Shqipëria për vete nuk e ka të lehtë përballjen me krizën që ka kapluar gjithë Evropën, porse është në gjendje të ndihmojë Kosovën për dy ditë.
“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjetike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi”, tha Rama.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të martën nuk kanë arritur të miratojnë vendimin e ekzekutivit për masat e emergjencës gjatë furnizimit me energji elektrike i marrë në mbledhjen e Qeverisë të premten më 24 dhjetor.
Kosova ka disa ditë që është duke u përballur me krizë energjetike.
Për shkak të kësaj krize energjetike nga e mërkura e 22 dhjetorit, qytetarët përballen me reduktime të energjisë elektrike. Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut (KOSTT), për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.
SHIKONI EDHE: Nuk miratohen masat e emergjencës për energji elektrikeNdërkaq, fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet me kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës. Sipas zyrtarëve të KEDS-it, Kosova aktualisht prodhon 600 deri në 800 megavatë rrymë në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavatë në orë.
Në tregun botëror, çmimi i rrymës është shtrenjtuar dukshëm. Nga 69 euro për megavat sa ishte çmimi vitin e kaluar, në këtë periudhë çmimi i importit të rrymës arriti deri në 600 euro për megavatë, ka thënë zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, Viktor Buzhala.
Megjithëkëtë, përgjatë dy ditëve të fundit, situata me energjinë elektrike është stabilizuar.