Shqipëria furnizon Perëndimin me bimë mjekësore

Në Sheqeras, rrëzë Malit të Thatë në jugun e Shqipërisë, është koha e kokoçelit, një bimë tradicionalisht e çmuar për shkak të aftësisë së saj për të forcuar metabolizmin dhe rezistencën ndaj infeksioneve.

Herët në mëngjes, para zhegut të ditës, dhjetëra gra, me kapela, mbledhin me duar lulet e famshme të kaltra, të cilat i joshin fluturat dhe bletët.

Kokoçeli më pas thahet në dhoma të errëta, për ta ruajtur ngjyrën e tij, para se të dërgohet për t’u shitur jashtë vendit.

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka qenë njëra ndër prodhueset më të mëdha në Evropë të bimëve mjekësore, kryesisht të bimëve të egra, që kultivohen nëpër ultësira.

Rreth 95 për qind e këtyre bimëve mjekësore eksportohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Australi, në Zelandën e Re, në Francë, në Gjermani apo në Itali.

Kërkesat janë rritur që kur pandemia e koronavirusit ka shtuar interesimin në bimët mjekësore, të cilat besohen se forcojnë sistemin e imunitetit, dhe për shkak të entuziazmit gjithnjë e më të madh për produkte natyrore dhe organike.

Më 2020, Shqipëria ka eksportuar më shumë se 14.000 tonë bimë mjekësore dhe aromatike, me vlerë prej 50 milionë eurosh. Shifrat e 2020-ës ishin për 15 për qind më të larta se të vitit paraprak, sipas të dhënave zyrtare.

Trendi po vazhdon, teksa eksportet janë rritur për 20 për qind në tre muajt e parë të 2021-tës, në krahasim me një vit më parë.

Rritja e interesimit në Perëndim për bimët mjekësore është e mirëpritur në njërin prej vendeve më të varfra të Evropës, me popullsi prej 2.8 milionë banorësh, i cili është shumë i varur nga turizmi në brigjet e Adriatikut, që janë goditur shumë nga pandemia.

Bimët mjekësore të shitura në Perëndim sigurojnë jetesën për nja 100.000 shqiptarë, të cilët vetë i kanë përdorur ato prej kohësh si ilaçe tradicionale.

“Kokoçeli është më i shtrenjti aktualisht; një kilogramë lulesh të thara shiten për rreth 30 orë”, tregon Altin Xhaja, kultivues i bimëve të egra.

Rreth 30 kompani shqiptare janë të autorizuara për të eksportuar bimët mjekësore, që përdoren për luftimin e inflamacioneve dhe sëmundjeve, por edhe për heqjen e stresit. Ato përdoren për të prodhuar çaj të pasur me vitamin C, si dhe antioksidues, vajra dhe kremra.