Grupi i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri mbërriti në aeroportin ushtarak në Rinas, pak minuta pas orës 03:00 të mëngjesit të së premtes, raporton Zëri i Amerikës.
Mësohet se bëhet fjalë për 121 persona, aktivistë të shoqërisë civile, mes tyre dhe fëmijë si dhe 11 foshnja, të nisur nga Kabuli. Avioni i tyre ka bërë fillimisht një ndalesë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, prej nga është nisur më pas rreth mesnatës drejt Tiranës. Ata pritet të sistemohen në struktura hoteliere në Durrës, për t’u strehuar më pas në zona të tjera.
Në aeroport, për të pritur qytetarët afganë kishte dalë Ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka, e cila ka ndjekur që në fillim të gjithë procesin e përgatitjeve për pritjen e tyre. Autoritetet shqiptare kanë bërë gati disa struktura, jo vetëm hoteliere, por dhe ato të Qytetit Studenti, ku grupet që pritet të vijnë do qëndrojnë për disa javë, deri në fillimin e proçesit mësimor.
Bashkë me ministren e jashtme shqiptare, siç e bëri të ditur dhe vetë përmes një postimi në Twitter, ishte dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim.
“Pritëm grupin e parë të afganëve që janë në kërkim të një strehimi të përkohshëm në Shqipëri. Siç ka bërë gjithmonë, populli shqiptar dhe një herë ofroi mikpritje dhe mbrojtje ndaj kujt ka nevojë më shumë. Jemi krenar t’ju quajmë miq dhe aleatë”, shkroi ambasadorja Kim.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre. Duke ju përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë amerikane për të mikpritur persona, jetët e të cilëve kërcënohen nga talibanët, qeveria shqiptare u shpreh fillimisht se ishte e gatshme të strehonte disa qindra.
Ndërsa prej javës së shkuar fluturime të shumta të planifikuara për të udhëtuar drejt Shqipërisë u anuluan si pasojë e kaosit në kreyqytetin afgan dhe aeroportin e tij, autoritetet shqiptare janë shprehur se do të presin disa mijëra. Një ditë më parë në një intervistë për televizionin CNN, kryeministri shqiptar Edi Rama foli për të paktën 4 mijë persona.
SHIKONI EDHE: Kosova do të strehojë rreth 2,000 afganëPas mbërritjes në aeroport, grupi i qytetarëve afganë do të qëndrojë fillimisht në tendat e ngritura posaçërisht pranë aeroporti ushtarak, ku atyre do t’u ofrohet dhe asistenca e parë mjekësore, ndërsa do të kryejnë dhe formalitetet burokratike.
Sipas një vendimi të miratur të mërkurën nga qeveria, qytetarëve afganë do t’u ofrohet statusi i “mbrojtjes së përkohshme”. Po sipas këtij vendimi ata mund të qëndrojne deri në 1 vit në Shqipëri.