70 të prekur me COVID-19 në Shqipëri

Foto ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, në përditësimin e fundit për media dhe qytetarë ka bërë të ditur së në vend janë gjashtë raste të reja me COVID-19, duke e çuar në 70 numrin e të prekurve.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha se në 24 orët e fundit janë testuar 35 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar gjashtë raste të reja me COVID-19: pesë raste nga Tirana (dy raste kontakti dhe tre raste të reja) dhe një 82-vjeçare nga Fieri.

Deri janë testuar 732 persona dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19 50 qytetarë nga Tirana, shtatë nga Fieri, pesë nga Durrësi, dy nga Elbasani, dy nga Lushnja, dy nga Rogozhina dhe dy nga Kavaja.

“Ju informojmë se në Spitalin Infektiv ndodhen 35 pacientë të shtruar. Tre prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”, tha Rakacolli.

SHIKONI EDHE: Shënohet viktima e dytë nga Covid-19 në Shqipëri

Ajo shtoi se është duke u vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, “si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19”.

“Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor”, tha Rakacolli duke u bërë thirrje qytetarëve të mos shkojnë menjëherë në spital dhe të qëndrojnë në shtëpi.

Shqipëria është duke u përballur me masa të rrepta të sigurisë të urdhëruara nga qeveria, në mënyrë që të parandalohet përhapja masive e koronavirusit. Të gjitha shkollat dhe vendet që grumbullojnë njerëz janë mbyllur dhe është reduktuar lëvizja e këmbësorëve me vetëm dy orare në ditë.

Po ashtu, asnjë makinë pa leje qarkullimi të posaçëm nuk mund të lëvizë.

Në Shqipëri, deri tani janë shënuar dy raste humbje jete si pasojë e virusit vdekjeprurës.