Shqipëria në panik për koronavirusin, autoritetet bëjnë thirrje për qetësi

Fotografi nga arkivi.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, ka nisur hetimet për lajmet e pavërteta që janë shpërndarë në rrjete sociale, mesazhe telefonike dhe disa media online për përhapjen e koronavirusit të ri në Shqipëri.

Përmes një komunikate për media, prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po bëhen për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.

Kodi Penal parashikon dënim me gjobë ose deri në 5 vjet burg për përhapje të informative të rreme që ngjallin panik.

“Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit është penalisht e dënueshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Tiranë.

Nisja e hetimeve nga ana e Prokurorisë vjen dy ditë pasi nëpër rrjetet sociale dhe mesazhet telefonike qarkulloi një audio, ku dëgjohej një grua teksa thoshte se në Shqipëri janë prekur 12 persona nga ky virus. Po e njëjta, pak orë më vonë kishte kërkuar që audio-incizimi i saj të fshihet sepse ishte ftuar të intervistohet nga Policia e Shtetit.

SHIKONI EDHE: Italia me më së shumti raste të koronavirusit në Evropë

Në anën tjetër, në Shqipëri nuk është shënuar ndonjë rast i prekur me koronavirusin Covid-19, por autoritetet kanë bërë të ditur se vendi ka marrë masa për mospërhapjen e tij.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria është në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe ka bërë dhe po bën çdo gjë për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Koronavirusi nuk luftohet me politikë, as me gjithollogji dhe aq më pak me frikë dhe lëre pastaj me panik!Ne kemi qysh momentin e parë të shfaqjes së tij që përgatitemi, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kemi bërë e po bëjmë çdo gjë sipas planit”, ka shkruar kryeministri Rama në Twitter.

Ai ndër tjerash, me rreptësi kritikoi përhapjen e dezinformatave nga mediat dhe qytetarët që, siç tha ai, kanë qëllime të liga.

“Fatkeqësisht ky vend në çdo vështirësi a fatkeqësi natyrore ose emergjencë shëndetësore që shfaqet, duhet të përballet dhe me fatkeqësinë e tij të madhe të kanaleve e portaleve ku lulëzon injoranca, ligësia, dembelizmi e grykësia e maskarallëkut që në këto raste bëhet çnjerëzor”, tha Rama.

Megjithatë, tentativa institucionale për të mbajtur qytetarët e qetë, nuk duket se po funksionon në Shqipëri. Në Tiranë, dyqanet dhe farmacitë nuk posedojnë më maska mbrojtëse apo desinfektues anti-bakterial për duart.

Një shkollë private është mbyllur, ndërsa ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka dënuar këtë vendim duke thënë se shkollat do të mbyllen vetëm me urdhër të ministrisë dhe bëri të ditur se kësaj shkolle do t’i hiqet licenca.

“Shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor vetëm me urdhër ministri. Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën, ka shkruar Shahini në Facebook.

Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, tha se nëpër portet detare dhe aeroportin e Shqipërisë kanë arritur rreth 4,700 persona që janë larguar nga vende të prekura nga koronavirusi në 24 orët e fundit.

"Në survejanca e përforcuar në të gjithë pikat kufitare, portuale, detare, aeroportuale dhe tokësore janë vlerësuar në 24 orët e fundit 4,700 udhëtarë me historik udhëtimi nga vendet e prekura me infeksion komunitar”, tha ajo.

Tomini tha se disa qytetarëve shqiptarë të kthyer nga Lombardia e Italisë, ku janë identifikuar mbi 200 të prekur nga virusi, u është kërkuar të vetizolohen në shtëpi, por jo edhe udhëtarëve të tjerë që kanë ardhur nga zona tjera të Italisë.

SHIKONI EDHE: OBSH: Bota duhet të përgatitet për pandemi të mundshme të koronavirusit

Koronavirusi besohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës, por që nga muaji dhjetor ky virus po përhapet me shpejtësi, pa marrë parasysh tentativat për të parandaluar atë.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje, që ngjason me gripin sezonal. Të moshuarit dhe personat që hynë në kategorinë e grupeve të ndjeshme me sëmundje kronike janë më të rrezikuarit.

Sipas shifrave të fundit, mbi 80,000 persona janë prekur nga koronavirusi, ndërkaq, 2,600 persona janë raportuar se kanë vdekur, shumica prej të cilëve në Kinë.