Rritje rekorde e çmimit të naftës në Shqipëri

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Çmimet e naftës në Shqipëri kanë shënuar rritje të hovshme brenda natës, duke arritur të mërkurën në nivel rekord prej 260 lekësh (2.03 euro) për litër nga 230 lekë për litër (1.80 euro) një ditë më herët.

Kjo rritje e çmimit është e katërta brenda javës në Shqipëri.

Në bazë të Institutit shqiptar të Statistikave, ky çmim shënon një rritje prej rreth 50 për qind nga mesatarja e çmimit të naftës për litër në treg gjatë vitit 2021.

Tregu i destabilizuar i naftës është pasojë direkte e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Lufta atje ka ndikuar në ngritjen e hovshme të kostos së produkteve bazë gjithandej Evropës. Kjo ngritje e çmimeve, e në veçanti e naftës, ka alarmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë me muaj po përjetojnë krizë energjetike të ndikuar nga kriza e përgjithshme energjetike evropiane, por edhe për shkak të kapaciteteve të kufizuara të shteteve ballkanike për t’u furnizuar me energji.

SHIKONI EDHE: Sasi të kufizuara të naftës

Në rastin e Shqipërisë, e përballur me thatësira gjatë tre vjetëve të fundit, hidrocentralet nuk prodhojnë sasinë e mjaftueshme të energjisë për t’i përmbushur nevojat e konsumatorëve.

“Thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjetike,” tha Rama, duke paralajmëruar vazhdim të rritjes dramatike të energjisë elektrike dhe duke mbrojtur vendimin e Qeverisë së tij për ta vazhduar kompensimin e energjisë për familjet në nevojë dhe bizneset e vogla.

Sipas tij, si pasojë direkte e luftës në Ukrainë, çmimi për megavat orë nga 52 euro në vitin 2021, ka shkuar në 550 euro aktualisht, dhe në bazë të parashikimeve, rritja do të shkojë deri në 1,000 euro për një megavat orë.

“Sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë,” tha Rama. “Kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi.”

SHIKONI EDHE: Rama paralajmëron vështirësi ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë

Në përpjekje për t’i adresuar sfidat ekonomike para Shqipërisë, të martën kryeministri Rama themeloi një komision ndërministror për të përgatitur veprimet e Qeverisë shqiptare në prag të një përshkallëzimi të gjendjes ekonomike.

“Tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës, e cila nuk sjell kurrë të mira, po vetëm dhimbje,” tha Rama. “Këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot, as nuk shmangim dot. Duhet vetëm ta përballojmë me kurajë, besim dhe durim.”

Shqipëria është rreshtuar me shtetet e NATO-s në përkrahje të Ukrainës dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Rusia e ka futur Shqipërinë në listën e “shteteve jomiqësore”.