Shqetësime për situatën e të zhvendosurve nga Karabaku
Një fotografi e 21 shtatorit, e publikuar në mediat sociale nga Avokati i Popullit në Nagorno-Karabak, gjoja shfaq të zhvendosurit armenë duke jetuar në kushte të vështira.
“Më shumë se 10.000 persona të zhvendosur po qëndrojnë aktualisht në bodrume, pa ushqim, ujë, energji elektrike, dhe të gjitha kushtet e tjera elementare për jetesë. Azerbajxhani po kryen gjenocid në Artsak (Nagorno-Karabak) në kohë reale, me pëlqimin e heshtur të komunitetit ndërkombëtar”, ka shkruar Gegham Stepanyan në platformën X, e njohur më parë si Twitter.
Një fotografi tjetër e publikuar në mediat sociale besohet se shfaq armenët e zhvendosur duke pritur për t’u larguar më 21 shtator, afër aeroportit në kryeqytetin de facto të Nagorno-Karabakut, Stepanakert.
Avokati i Popullit, Stepanian, ka thënë në mediat sociale se rrugët e Stepanakertit janë “mbushur me njerëz të zhvendosur, [të cilët janë] të uritur dhe të frikësuar”.
Një punonjës komunal (djathtas) duke bërë përpjekje për t’i qetësuar banorët, pas dëgjimit të të shtënave në Stepanakert.
Një pamje e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më 21 shtator gjoja shfaq civilët e zhvendosur nga paqeruajtësit rusë në një vend të panjohur.
Azerbajxhani ndërpreu aksionin ushtarak në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut më 20 shtator, pasi suksesi i tij i shpejtë në fushëbetejë i detyroi separatistët armenë të pajtohen për një armëpushim që do ta kthejë zonën në kontroll të plotë të Bakusë.
Një grua duke gatuar në një stufë të improvizuar afër një rruge në Stepanakert.
Stepanian ka thënë se të paktën 200 persona janë vrarë dhe pothuajse dyfish më shumë janë plagosur gjatë luftimeve të fundit, përfshirë fëmijë.
Banorët lokalë duke u grumbulluar pranë një ndërtese komunale, pas raportimeve për të shtëna në Stepanakert.
Separatistët që udhëheqin territorin që ata e quajnë Republikë e Artsakut – siç njihet Nagorno-Karabaku nga armenët – kanë thënë se janë detyruar t’i pranojnë kushtet e Azerbajxhanit – të përcjella nga paqeruajtësit rusë – pasi ushtria e Bakusë i theu radhët e tyre dhe mori në kontroll lokacione strategjike.
Azerbajxhani ka thënë se nuk mund ta toleronte më një situatë që ai e cilësoi si kërcënim për sigurinë dhe integritetin e tij territorial.
Demonstruesit armenë duke mbajtur pllakate që bëjnë thirrje për kërkesën e kryeministrit armen, Nikol Pashinian, në Jerevan, më 21 shtator.
Nagorno-Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, dhe aktualisht është i banuar nga rreth 120.000 armenë etnikë. Ai është shkëputur nga Bakuja në një luftë gjatë kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Rajoni ka mbijetuar prej dekadash me mbështetjen e drejtpërdrejtë nga Armenia, falë kontrollit të një rruge tokësore të njohur si Korridori i Laçinit.
Demonstruesit kanë vazhduar t’i bllokojnë rrugët në Jerevan më 22 shtator, duke kërkuar largimin e Pashinianit për shkak të dorëzimit të Nagorno-Karabakut. Më shumë se 80 persona janë arrestuar.
Armenia e ka akuzuar Azerbajxhanin për bllokimin e Korridorit të Laçinit, rrugë e vetme që lidh Armeninë me Nagorno-Karabakun, që nga dhjetori i vitit 2022. Azerbajxhani kishte ngulmuar se kamionët me ndihma duhej të kalonin përmes territorit azerbajxhanas, për të parandaluar kontrabandën.
Një protestues duke u përleshur me policë armenë në Jerevan, më 21 shtator.
Një luftë e dytë më 2020 bëri që Azerbajxhani të rimarrë territore brenda dhe rreth rajonit malor, dhe që Armenia ta humbë kontrollin e korridorit, duke e lënë rrugën në kontroll të paqeruajtësve rusë, derisa ajo u bllokua në dhjetorin e kaluar.
Zbatuesit e ligjit duke arrestuar një protestues pranë një ndërtese qeveritare në Jerevan, më 21 shtator.
Bakuja thotë se ka plane për riintegrimin e Nagorno-Karabakut dhe popullsisë së tij armene në Azerbajxhan. Por, autoritetet azerbajxhanase nuk kanë treguar se cili është plani, dhe detajet e tij mbeten shumë të paqarta. Sesioni i parë i bisedimeve “për riintegrim” ka përfunduar më 21 shtator, pa ndonjë shenjë përparimi.