Rriten shqetësimet për gjendjen shëndetësore të Navalnyt

Alexei Navalny në burg.

Gjermania u është bashkuar thirrjeve që lideri opozitar rus, Alexei Navalny të marrë trajtim të duhur shëndetësor, pas shqetësimeve në rritje për shëndetin e tij.

Ky reagim vjen pasi rreth 500 mjekë rusë kanë nënshkruar një letër të hapur për presidentin rus, Vladimir Putin, duke u kërkuar autoriteteve të burgut që të ndalin “abuzimin” ndaj Navalnyt.

Avokati i Navalnyt ka thënë se ai është vizituar së fundi nga një mjek, mirëpo nuk i janë siguruar ilaçet që i duhen.

Navalny ka thënë se po i mohohet qasja në ilaçet bazike.

Berlini ka bërë thirrje po ashtu edhe për lirimin e Navalnyt, duke thënë se burgosja e tij është bazuar “në një vendim të motivuar politikisht”.

Ai është në burg që dy vjet, dhe shpeshherë vendoset në qeli.

SHIKONI EDHE: Navalny e quan “kamp përqendrimi” burgun ku ndodhet

Navalny është arrestuar në janar të vitit 2021, pak pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar për sulmin që i ka ndodhur me agjent nervor në Siberi.

Të enjten, zëdhënësi i Këshillit amerikan për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se Shtetet e Bashkuara ndajnë shqetësimet e mjekëve rusë për gjendjen e Navalnyt, dhe kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Navalny, 46-vjeçar konsiderohet ndër figurat kyçe kundër Putinit.

SHIKONI EDHE: “Putini nuk është Rusi” – Navalny bën thirrje për protesta ditore

Ai është dënuar fillimisht me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, dhe më pas i janë shtuar edhe nëntë vjet më shumë, me arsyetimin e mashtrimeve.

Vetë Navalny i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.