Niveli i leximit në Kosovë është alarmant, sipas rezultateve të një hulumtimi të publikuar këtë muaj në Prishtinë. Mbi gjysma e të anketuarve, sipas hulumtimit, nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash gjithsej.
“Sot po del që të rinjtë kur e gjykojnë njëri-tjetrin, në rastin më të mirë ai që lexon nuk është ‘in’, e në rastin më të keq është një objekt i bullizimit ose i përqeshjes, sepse nuk është interesant të lexosh”, thotë për Radion Evropa e Lirë sociologu Artan Krasniqi.
Më shumë se 16 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa mbi 38 për qind janë shprehur se lexojnë vetëm një deri në tre libra në vit.
Vetëm 7.6 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se lexojnë më shumë se 13 libra në vit.
Këto janë të dhënat e hulumtimit “Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit”, të publikuar nga Organizata ETEA bashkë me librarinë “Dukagjini”, me hulumtues Shaha Hyseni dhe Taulant Gashi.
Your browser doesn’t support HTML5
Sociologu Krasniqi thotë se këto të dhëna janë dokumentim i një “sekreti publik që është ditur se qytetarët e Kosovës nuk janë edhe aq miqësorë me librin”.
“Shifra prej mbi 16 për qind e qytetarëve të Kosovës që kanë deklaruar se nuk lexojnë asnjë libër në vit, me të drejtë cilësohet si shqetësim dhe do të duhej të kthehej në alarm për shtetin dhe shoqërinë tonë”, vlerëson Krasniqi.
SHIKONI EDHE:
Leximi i librit, strehë gjatë pandemisëInterneti dhe çmimi sfidojnë leximin e libritAi thotë se ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në “këtë realitet social” është familja.
“Sepse njerëzit, fëmijët në veçanti, aty e kanë shembullin të cilin e marrin për herë të parë në mënyrë që libri të jetë i pranishëm në rutinën e tyre ose jo”, shpjegon Krasniqi.
Ai shton se menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore iu shpall luftë analfabetizmit dhe “veç atëherë mund të flitej për një lloj ngritjeje të vetëdijes për leximin dhe librin, në përgjithësi”.
...sa më shumë shpërfaqet libri në hapësirë publike, aq më shumë ka gjasa që të krijohet një miqësi me të".
Një tjetër e dhënë e hulumtimit tregon se më shumë se 70 për qind e të anketuarve zgjedhin të lexojnë brenda shtëpive të tyre. Në Kosovë rrallë shihen njerëz teksa lexojnë në parqe, autobusë, apo edhe hapësira tjera publike.
“Ky është një lloj indikatori që tregon se leximi [për shoqërinë kosovare] është krejt çështje private, nuk i takon ende hapësirës publike”.
“Libri duhet të shpërfaqet, sepse mendoj që sa më shumë shpërfaqet në hapësirë publike, aq më shumë ka gjasa që të krijohet një miqësi me të”, shton Krasniqi.
Grup-moshat më aktive në lexim dalin të jenë prej 10-14 vjeç. Ky grup përbëhet nga nxënës të nivelit fillor të arsimit, ku pjesë e kurikulës janë edhe leximi i detyrueshëm i librave letrarë.
Dafina Prokshi, psikologe, nuk është e mendimit që leximi të jetë detyrim nga shkollat:
“Ideja është që të ndillet shprehia apo zgjimi i dëshirës në mosha të hershme që të fillojnë të kenë vetë interesim ndaj librave. Mësimdhënësit duhet të gjejnë forma që t’i nxisin drejt kësaj shprehie, ndërsa detyrimi nuk është nxitje”.
Edhe për Prokshin, familja është ndër faktorët kryesorë për krijimin e shprehisë për të lexuar.
“Një fëmijë më së miri do të stimulohej të lexojë kur e sheh prindin duke lexuar, kur sheh libra përreth ambientit të shtëpisë dhe kur jo me detyrim i kërkohet të lexojë një libër, por diskutohet dhe i referohet fëmijës në mënyrë natyrale”, thekson Prokshi për Radion Evropa e Lirë.
Varësia nga teknologjia, sipas psikologes, është një ndër faktorët që ndikon në nivelin e ulët të leximit.
Prokshi thekson ndikimin pozitiv që ka të lexuarit në shëndetin mendor.
“Kur lexojmë përfshihen disa funksione të trurit, siç janë procesi vizual, auditiv, fonemik dhe rritet domosdo vëmendja e të kuptuarit, që çojnë në benefite të shumta, siç është pasurimi i fjalorit, rrjedhshmëria në të shprehur, zhvillimi i kujtesës, empatisë dhe sensacionit tonë të përgjithshëm”, shpjegon ajo.
Në bazë të hulumtimit, ata që kanë rezultuar më pak aktiv në të lexuar janë të anketuarit mes moshës 50-65 vjeç, ku 31.7 për qind e tyre kanë deklaruar se nuk lexojnë asnjë libër në vit.
Në hulumtim janë përfshirë 14 komuna të Kosovës: Prishtina, Obiliqi, Mitrovica, Skenderaj, Peja, Klina, Gjakova, Juniku, Prizreni, Mamusha, Gjilani, Kamenica, Ferizaj dhe Hani i Elezit.
Të dhënat e hulumtimit të realizuar tregojnë se në nivel vendi më së shumti lexohet në Gjakovë, ndërsa në raport më gjinitë, prijnë vajzat dhe gratë.