Shpëtohen tetë personat që kishin ngecur në teleferik qindra metra mbi një luginë në Pakistan

Tetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, kishin ngecur për rreth 15 orë në një teleferik të prishur qindra metra mbi një luginë në Pakistan, më 22 gusht 2023.

Ushtria pakistaneze i ka shpëtuar tetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, të cilët kishin ngecur për rreth 15 orë në një teleferik të prishur qindra metra mbi një luginë të thellë të martën në veriperëndim të Pakistanit.

Gjashtë fëmijët dhe dy të rriturit kishin ngecur herët në mëngjesin e 22 gushtit, kur njëra nga kabllot e teleferikut u këput derisa ata po kalonin përmbi një lugin në rrethinën Batahram, në provincën Khyber Pakhtunkhwa.

Fëmijët ishin duke shkuar në shkollë.

SHIKONI EDHE: Pakistan: Vdesin 10 persona pas prishjes së teleferikut

Për shkak se operacioni i shpëtimit me helikopterë u bë i pamundur pas perëndimit të diellit, ekipet e shpëtimit vendosën ta nisin një operacion të rrezikshëm duke e përdorur kabllon tjetër e cila ishte ende e padëmtuar, për t’iu afruar ulëses së ngecur duke e përdorur një ulëse të improvizuar.

Familjarët e personave që kishin ngecur u lutën për rreth 15 orë derisa po e shikonin në ankth operacionin e shpëtimit.

Operacioni i shpëtimit u shikuan në tërë Pakistanin, ku njerëzit u mblodhën para televizorëve nëpër zyra, dyqane, restorante, spitale dhe shtëpi.

Kur ekipet e shpëtimit i dorëzuan fëmijët te familjet e tyre, shumica e tyre shpërthyen në lot, tha Nazir Ahmed, një zyrtar i lartë i Policisë, i cili ishte i pranishëm në zonën ku misioni i shpëtimit ajror dhe tokësor nisi.

“Të gjithë po luteshin për këtë çast”, tha Ahmed.

Bilal Faizi, zëdhënës i shërbimit emergjent të Pakistanit, tha se të ngecurit ishin furnizuar me ushqim dhe ujë në fillim të ditës.

Sipas mediave pakistaneze, disa nga të ngecurit kishin mbajtur kontakt me familjarët e vet përmes telefonave mobilë. Autoritetet thanë se fëmijët, të cilët ishin të moshës mes 11 dhe 15 vjeçe, ishin ngushëlluar nga të rriturit.

Fshatarët shpesh i përdorin teleferikët për të udhëtuar përreth rajoneve bjeshkore të Pakistanit. Por, ata mirëmbahen keq dhe si pasojë, çdo vit njerëzit vdesin apo lëndohen duke udhëtuar në to.

Në vitin 2017, 10 njerëz vdiqën kur ulësja e tyre ra nga teleferiku në një humnerë qindra metra të thellë në vendin e njohur malor, Murree, pasi kablloja ishte këputur.