Shpërthime në Mitrovicën e Veriut, nuk ka dëme

Sheshi në Mitrovicën e Veriut, 6 qershor 2023.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë orëve të vona të mbrëmjes së 22 qershorit kanë ndodhur dy shpërthime në Mitrovicën e Veriut. Nga këto shpërthime nuk ka pasur të lënduar.

“Ka pasur detonime, mund të jenë shok bomba ose fishekzjarrë. Nuk ka raportime për dëme apo të lënduar”, tha zëvendësdrejtori rajonal për veri, Veton Elshani, për Radion Evropa e Lirë.

Elshani tha se, megjithatë, situata në Mitrovicën e Veriut dhe në komunat e tjera në veri ka qenë e qetë gjatë natës dhe se vazhdon të jetë edhe sot e tillë.

Më herët këtë muaj është raportuar për sulme me shok bombë afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

SHIKONI EDHE: Sulm me shok-bomba afër stacionit policor në Mitrovicë të Veriut

Këto sulme me shok-bomba po ndodhin në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim. Ndaj tyre, autoritetet serbe kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ftoi në takim më 22 qershor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata u tha se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

SHIKONI EDHE: Borrell për veriun: Zgjedhje të reja sa më shpejt dhe me pjesëmarrje të plotë