Një shpërthim që ka ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga ky shpërthim nuk ka pasur viktima, sipas autoriteteve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për "sulm kriminel dhe terrorist", i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Ndërkaq, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kanë dënuar fuqishëm shpërthimin në Ibër-Lepenc.
Your browser doesn’t support HTML5
Kurti ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media, para mesnatës, se përmes sulmit është munduar të rrezikohet furnizimi i Kosovës me ujë dhe me energji elektrike.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që “të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi njoftimet” zyrtare nga organet e vendit, të cilat ka thënë se “janë të angazhuara në menaxhimin e situatës dhe rikuperimin e dëmit”.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka deklaruar se shpërthimi në Zubin Potok është sulm terrorist, që autoritetet e Kosovës besojnë se “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesim dhe aftësi për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla”.
Si pasojë e dëmtimit të kanalit të Ibër-Lepencit, Kurti ka thënë se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e qytetit të kryeqytetit, Prishtinë, mund të ngelen pa ujë të pijshëm.
Kurti ka deklaruar se “nuk mund të ketë adresë tjetër për fajësi për organizimin dhe orkestrimin e sulmit, përveç Beogradit zyrtar dhe strukturave kriminale me në krye Millan Radoiçiqin”, të cilat, ka shtuar ai, mbështeten nga institucionet serbe dhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, “është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare atje”, të cilat, siç është shprehur ai, urrejnë Kosovën dhe popullin e saj.
Kurti ka thënë se incidenti në Zubin Potok është shpërthimi i tretë në tre ditët e fundit, përmes të cilit, sipas tij, “është synuar të nxitet frika dhe pasiguria në tre komunat në veri, për ta përshkallëzuar situatën në mbarë vendin”.
“Përpjekjet e këtilla do të ngelen të dëshpëruara. Kushtetutshmëria, sundimi ligjit, rendi dhe populli, republika jonë, nuk do të mund të mposhten asnjëherë nga askush”.
Kurti ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, për “mbështetjen e tyre ndaj vendit”.
Ai ka thënë se menjëherë pas konferencës do ta takojë komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, dhe se do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Çfarë është Ibër-Lepenci?
Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” është shoqëri aksionare me seli në Prishtinë dhe është ndërmarrje shumëfunksionale e cila furnizon industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë me ujë të papërpunuar si dhe prodhon energji elektrike nga Hidrocentrali i Ujmanit.
Bazuar në dokumentet qeveritare, nga sistemi i Ibër-Lepencit në Ujman në Zubin Potok, me ujë të pijshëm furnizohet veriu i Kosovës, por edhe Prishtina me rrethinë. Ky hidrosistem gjithashtu furnizon me ujë termocentralet në Obiliq, që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, ndërsa përveç kësaj, uji nga liqeni akumulues i Ujmanit përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Vetë kanali Ibër-Lepenc ka një gjatësi prej 49 kilometrash – nga liqeni i Ujmanit deri në Prishtinë dhe përfundon në liqenin e Badocit afër Prishtinës.
Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.
Në lidhje me këtë shpërthim, nuk pati reagime të menjëhershme në Serbi.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, tha se e dënon ashpër dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë, duke e quajtur atë "akt absolutisht kundër interesave të popullit serb".
Partia serbe tha se dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu “ka shkaktuar shqetësim te serbët në veri të Kosovës”.
Më herët, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që doli në vendngjarje, tha se shpërthimi është dëgjuar para orës 19, dhe se një pjesë e Ibër-Lepencit, që konsiderohet si infrastrukturë kritike, është dëmtuar.
Ai e cilësoi si "akt terrorist" dëmtimin e kanalit të ujit, përmes së cilit tha se furnizohet edhe Korporata Energjetike e Kosovës.
Sveçla tha se institucionet janë mobilizuar që dëmet të sanohen dhe qytetarët të mos vuajnë pasojat.
"Është detyrë e domosdoshme e institucioneve të sigurisë që të hetohen terroristët që kanë kryer këtë akt terrorist dhe të sillen para drejtësisë," theksoi ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fajësoi "bandat kriminale serbe" për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës.
"Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj ketyre elementeve kriminale janë jetike", tha ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të tregojnë qetësi dhr maturi derisa institucionet të hetojnë rastin dhe të sanojnë dëmet.
Ujësjellësi Rajonale e Ujësjellësit "Mitrovica" njoftoi se ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të kanalit.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë, pas shpërthimit në Zubin Potok tha se furnizimi me energji elektrike mbetet i sigurt dhe pa ndërprerje në të gjithë territorin e Kosovës.
"Po ashtu, ekipet tona janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin e sigurtë të sistemit të energjisë elektrike", tha KOSTT.
Hovenier: SHBA dënon ashpër sulmin ndaj "infrastrukturës kritike" të Kosovës
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dënoi ashpër sulmin ndaj "infrastrukturës kritike në Kosovë", pas dëmtimit të kanalit të ujit në veri.
"Ne po monitorojmë nga afër situatën, do të mbështesim një hetim gjithpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës për t'u siguruar që përgjegjësit e këtij akti kriminal të identifikohen dhe mbahen përgjegjës", tha ai në X.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se "incidenti serioz në Zubin Potok sonte mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës". Ai kërkoi hetim të shpejtë për këtë sulm.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se dënon fuqishëm sulmin që prek "komunitetet gjithandej Kosovës".
"I bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe për vënie të keqbërësve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme t'i mbështesë autoritetet kosovare", është shprehur ai.
Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dënoi "sulmin ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, i cili po lë pa furnizim me ujë pjesë të konsiderueshme të Kosovës". Ai tha se tashmë "ka ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës", dhe se "incidenti duhet të hetohet, ndërsa përgjegjësit të vihen para drejtësisë".
Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese.
SHIKONI EDHE: Policia thotë se ka shtuar masat e sigurisë në nivel vendiPolicia tha se do të shtojë aktivitetet, do të rrisë prezencën në terren, “duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”.
Ky institucion tha se me shtimin e masave policore synohet të ruhet rendi e qetësia publike, të parandalohen aktet kriminale dhe të hetohen e vihen para drejtësisë “të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditëve të fundit janë shënuar incidente me mjete shpërthyese.
Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore.
Ndërkaq, më 29 nëntor Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.
SHIKONI EDHE:
Zyrtarët e Kosovës e dënojnë sulmin ndaj Komunës së Zveçanit si akt kriminalStacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata doreKy incident është dënuar nga autoritetet në Kosovë, që i kanë cilësuar si “akte kriminale” që synojnë “të ndjellin frikë”.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e fajësoi Serbinë për, siç tha, "dirigjimin" e bandave kriminale për kryerjen e sulmet të ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri.
Katër komunat në veri të Kosovës – Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut - udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe bojkotuan zgjedhjet lokale të mbajtura vitin e kaluar.
Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë incidentesh.
Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.