Pekini teston miliona banorë pas shpërthimit të ri të COVID-19

Punëtorët shëndetësorë kinezë duke vendosur barriera metalike.

Autoritetet në kryeqytetin kinez, Pekin kanë rritur të hënën përpjekjet për të penguar përhapjen e koronavirusit, pas identifikimit të një shpërthimi të ri në një bar të njohur për pije të lira alkoolike dhe turma të mëdha.

Shpërthimi i ri, i së paku 200 rasteve që lidhen me këtë bar – i cili është rihapur javën e kaluar pas kufizimeve për pandeminë – tregon sa e vështirë do të jetë për Kinën të zbatojë politikën e “zero-rasteve me COVID”, teksa pjesa më e madhe e botës është duke tentuar të mësohet që të jetojë me virusin.

Çaojang, rajoni më i madh i Pekinit – ku gjendet bari - ka nisur të hënën testimin masiv të 3.5 milionë banorëve.

SHIKONI EDHE: OBSH: Origjina e paqartë e COVID-it, të studiohet teoria e rrjedhjes laboratorike

Deri më tani janë identifikuar 10,000 kontakte të ngushta që janë vënë në izolim.

Sipas dëshmitarëve, nëpër lagje janë instaluar barriera të mëdha metalike dhe punëtorët shëndetësorë janë parë duke dezinfektuar të gjitha ambientet.

Shpërthimet e reja me koronavirus janë duke rritur shqetësimet për ekonominë e Kinës dhe ndikimin në botë.

Ky shtet është ende duke marrë veten pas izolimit dymujor në Shangai, qytetit më komercial kinez.