Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) në Kosovë që t’iu paguhet rryma qytetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për periudhën 2012-2017, është anuluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Vendimi është anuluar pas ankesës së Avokatit të Popullit të Kosovës.
Sipas njoftimit, Gjykata Themelore e ka detyruar Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) që të bëjë kthimin e mbi 40 milionë eurove, për t’iu kompensuar dëmin konsumatorëve që janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në veri.
SHIKONI EDHE: Për tre vjet, 40 milionë euro humbje të energjisë në veriQytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës janë faturuar me vite për rrymën e shpenzuar në veri, ndërsa nga viti 2017, borxhet e asaj pjese janë paguar nga buxheti i Kosovës.
“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarrë veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve që janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, për periudhën kohore nga 06.02.2012 deri më 20.10.2017, në vlerë prej 40.855.480 milionë eurosh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Banorët e komunave me shumicë serbe: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan nuk i paguajnë faturat e rrymës që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 1999.
Rreth 8 milionë euro në vit llogaritet të jetë borxhi që banorët e këtyre komunave nuk e paguajnë.
SHIKONI EDHE: Pavarësimi energjetik mund ta rrisë çmimin e rrymës