Shkupi dhe Sofja pa ndryshim qëndrimesh 

Foto nga një takim i një prej komisioneve të përbashkëta të Shkupit dhe Sofjes.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut thotë se po punon për përpilimin e një plani të veprimit për bisedime me Sofjen, por për disa pika që nuk kanë të bëjnë me thelbin e kontestit, apo kërkesat bullgare që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe aspektet historike. Qeveria mendon se fillimisht mund të trajtohen çështje tjera, si infrastruktura, arsimi, por edhe aktivitete tjera për forcimin e raporteve mes dy vendeve.

“Qeveria mbetet e angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët, për të definuar të gjitha dilemat, por pozicionet tona nuk ndryshojnë përsa i përket identitetit maqedonas dhe gjuhës. Për to nuk do të negociohet”, thuhet në një njoftim të qeverisë, e cila ndërkohë bënë thirrje për përmbajtje nga fyerjet pasi mund të tensionojnë edhe më shumë raportet mes dy shteteve.

Për dallim nga qeveria, opozita maqedonase vazhdon me pretendimet se ekzekutivi pikërisht po bënë të kundërtën, duke negociuar për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për unitet, për të ndaluar tregtinë me identitetin, për të penguar tregtinë me veçantitë historike, zakonet e traditën e popullit tonë. Çështja është shumë serioze sepse ka të bëjë me të ardhmen e vendit, duhet të ekzistojë një zgjidhje serioze diplomatike në të cilën nuk do të merren parasysh as identiteti dhe as gjuha”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

SHIKONI EDHE: Shkupi dhe Sofja u rikthehen bisedimeve

Zyrtarët bullgarë, ndërkohë mbeten në qëndrimet se janë për dialog, por kanë theksuar se vazhdimi i tij mund të vështirësohet nëse politikanët maqedonas vazhdojnë siç kanë thënë me “provokimet” duke u ndalur në vendimin e fundit të qeverisë për mësimin e gjuhës serbe në shkollat fillore, apo edhe hapjen e një qendre kulturore serbe në Shkup. Eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, kishte deklaruar se kjo është e drejt e Qeverisë maqedonase, por ndërkohë kishte ngritur dilemën “se vallë çfarë reagimesh mund të kishte sikur vendimet e tilla të kishin të bënin me gjuhën bullgare”.

Në këtë kuadër, presidenti bullgar Rumen Radev, jo vetëm që ka mbrojtur pozicionet e qeverisë kundrejt Shkupit zyrtar, por ka dalë me kritika se nuk ka bërë sa duhet në mbrojtjen e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

SHIKONI EDHE: Karakaçanov: Maqedonia e V., pjesa më tragjike e historisë bullgare

“Bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë kufijve të vendit tonë jo vetëm që janë të përjashtuar nga të gjitha proceset politike, por ata gjithashtu janë privuar nga të gjithë të drejtat tjera...Ju e shihni që qytetarët me pasaporta bullgare në Maqedoninë e Veriut nuk ndihen si qytetarë me vetëbesim. Autoritetet bullgare dështuan të paraqesin pozicionin bullgar në lidhje me Maqedoninë e Veriut përpara Bashkimit Evropian”, ka deklaruar presidenti bullgar Rumen Raden, të hënën në Sofje gjatë paraqitjes së kandidaturës edhe për një mandat në krye të shtetit.

Dy shtetet kanë formuar komisione që po merren me çështjet historike në përpjekje për zgjidhjen e kontestit, por Skender Asani, historian dhe drejtor i Institutit për Trashëgimi Kulturore, thotë se komisionet vështirë se do të arrijnë të kapërcejnë dallimet e thella që janë krijuar mes dy vendeve.

“Zhvillimet e deritanishme kanë treguar se komisionet e formuara janë pengesë për arritjen e një marrëveshjeje sepse këto komisione vendosin vija të kuqe. Mendoj se kontesti maqedono-bullgar duhet të zgjidhet sipas modelit të gjermanëve dhe francezëve, me formimin e komisioneve për mirëkuptim. Kështu që Maqedonia e Veriut duhet të ketë një zyre në Sofje sikur që edhe pala bullgare të ketë një zyrë në Shkup. Këto zyra duhet të merren vetëm me zgjidhjen e problemeve aktuale dhe jo të trajtojnë aspektet historike”, thotë Asani.

SHIKONI EDHE: Ndihma në kontestin maqedono-bullgar

Ai shton se me zgjidhjen e problemeve aktuale, siç janë ato për pakicat, gjuhën, identitetin, çështjet territoriale, kontestet historike nuk do të ishin shumë të rëndësishme për çështjet tjera, përfshirë edhe ato të integrimit, që edhe janë thelbësore në rastin konkret.

Për shkak të moszgjidhjes së dallimeve, Bullgaria, si anëtare e BE-së, në nëntorin e vitit të kaluar përdori veton ndaj Maqedonisë së Veriut duke bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.