Ekspertët e ekonomisë në Shkup vlerësojnë se marrëveshjet e nënshkruara të bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në fushën e ekonomisë, paraqesin një mundësi për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.
Zyrtarët e lartë të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, të martën, gjatë vizitës së kryeministrit grek Alexis Tsipras në Shkup, nënshkruan një sërë marrëveshjesh në fushën ekonomike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha për Radion Evropa e Lirë thotë se nënshkrimi i shumë marrëveshjeve gjatë vizitës së Tsiprasit në Shkup, do t’i jap impuls të shtuar rritjes së këmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve, që aktualisht arrin vlerën prej 1 miliard dollarësh brenda një viti.
"Duke pas parasysh se Greqia është partneri i tretë si shtet strategjik, në aspekt të këmbimit tregtar, mendoj se do të vazhdojë trendi i rritjes së këmbimit tregtar. Marrë parasysh edhe vizitën e kryeministrit grek Tsipars dhe pjesëmarrjen e tij në forumin ekonomik që u mbajt në Shkup, ku morën pjesë më shumë se 400 kompani nga të dyja vendet fqinje, kompani këto nga sektorë të ndryshëm, që përfshinin ndërtimtarinë, minierat, industrinë bankare, industrinë e naftës, energjetikës, atë të kozmetikës e të tjera, pas nënshkrimit të shumë marrëveshjeve në planin ekonomik mes dy vendeve, pritshmëritë tona janë shumë pozitive”, thotë Hoxha.
SHIKONI EDHE: Zgjidhja e çështjes së emrit, u hap rrugë bizneseveNdërkaq, Simonida Kacarska, nga Instituti për Politika Integrues, për Radion Evropa e Lirë thotë se Greqia, nga një shtet që ka bllokuar proceset integrues, synon të marrë rolin e sjelljes së fondeve evropiane në Maqedoninë e Veriut, për përmbushjen e kritereve që Brukseli i ka vënë si detyrë vendit për anëtarësimin në familjen evropiane.
“Që në samitin e kaluar të BE-së të mbajtur në qershor, Bullgaria dhe Greqia u pozicionin si shtete promotorë, për shpejtimin e ritmit të Maqedonisë së Veriut, drejt familjes evropiane”, thotë ajo.
“Çka përfiton Greqia në këtë rast? Mendoj se kryeministri grek Alexis Tsipras synon ta transformojë rolin e shteti të tij Greqisë, nga një shtet që ka bllokuar procesin e integrimit për shtetin tonë, në promotor të përshpejtimit të hapave integruese për Maqedoninë e Veriut. Në ketë drejtim besoj se do jetë më e zëshme edhe sa i përket ndarjes së fondeve për Maqedoninë e Veriut”, thotë Kacarska.
SHIKONI EDHE: Qeveria edhe ekspertët, qëndrime të kundërta për ekonominëNdërkaq, Alaudin Zeqiri, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se Marrëveshja e Prespës krijon mundësi për derdhjen e kapitalit grek në Maqedoninë e Veriut, sepse siç thotë ai, me vet fatin që kryeministri grek, Tsipras, gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, u shoqërua nga një numër i madh biznesmenësh. Sipas tij, kjo gjë flet për një potencial të madh ekonomik, që synon ta shtrijë Greqia në vend.
“Ajo që është më e rëndësishme për ekonominë kombëtare është që të ketë një rritje të investimeve nga kapitali që vjen nga Greqia. Në këtë drejtim, dominuese është sektori i industrisë dhe metalurgjia, mirëpo mund të vendoset një bashkëpunim fitimprurës edhe në sektorin agrarë, duke qenë se Greqia është pjesë e Bashkimit Evropian Maqedonia e Veriut mund të përfitojë shumë duke marrë përvojat e vendit fqinj në zhvillimin e këtij sektori, për çka ka kushte ët volitshme”, thotë Zeqiri.
SHIKONI EDHE: Marrëveshja Maqedoni-Greqi, një faqe e re bashkëpunimi në BallkanKryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në kuadër të forumit të biznesmenëve grekë dhe atyre maqedonas, ka theksuar se “volumi i këmbimit tregtar në vitin 2018 është rritur për 20.7 për qind, në krahasim me vitin 2017”, duke nënvizuar se Greqia është investitori i tretë direkt në ne vend me gjithsej 474 milionë euro investime nga viti 1997 deri në vitin 2017, që paraqet 10,1 për qind të vlerës së përgjithshme të investimet e huaja të drejtpërdrejta në shtet. Investimet greke, sipas Zaev, përfshijë sektorin bankar, telekomunikimet, sektorin energjetik, ndërtimtarisë, sektorin e prodhimeve ushqimore, e shumë sektorë të tjerë.
Ndërkaq, kryeministri grek, Alexis Tsipras tha se theksi i bashkëpunimit mes dy vendeve, duhet vënë në shfrytëzimin e mjeteve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe mjeteve të Bankës Botërore, me qëllim të rritjes së investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor.