“Shkupi 2014” do të vazhdojë të ndërtohet edhe me paratë e buxhetit të vitit 2025

Ndërtimi i Shtëpisë së Oficerit në sheshin në qendër të Shkupit si pjesë e projektit "Shkup 2014"

Zhurmat e çekiçëve dhe makinerive të ndërtimit e thyejnë heshtjen e verës në kryeqytetin pothuajse të boshatisur në kulmin e pushimeve vjetore. Më gjithë udhëzimet e Qeverisë kundër për parandalimin e valës së nxehtësisë që punëtorët e ndërtimit të mos dalin në temperatura të larta në mesditë, në qendër të Shkupit, punëtorët po punojnë në ndërtesat e papërfunduara nga projekti kontrovers i ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i njohur si “Shkupi 2014”.

Dhjetëra ndërtesa mbetën të papërfunduara dhe të papërdorura pas ikjes së Gruevskit në Hungari dhe ndryshimit të Qeverisë në vitin 2017.

Kryeministri i ri maqedonas, Hristijan Mickoski, si banor i Shkupit ai ndihet shumë i shqetësuar nga kjo çështje dhe se është në kërkim të mënyrës për të përfunduar një pjesë të madhe të atyre ndëresave. Por, të hollat për to në buxhetin e balancuar të këtij viti nuk janë siguruar.

“Nuk parashikohen për arsyen e thjeshtë se ne ende po analizojmë për të parë se cili është statusi ligjor. Sepse një pjesë e atyre objekteve janë investime private. Tani, ne si shtet nuk mund t'i rehabilitojmë ato objekte private. Por, sigurisht se do të donim të bisedonim me investitorët, të punonim, ta përfundonim. Të shohim se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar. Pasi ta përfundojmë atë analizë, të jeni të sigurt se tashmë në buxhet për vitin e ardhshëm do të përfundojë ajo që është puna e shtetit", tha Mickoski.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a do të vazhdojë të dominojë stili barok në ndërtimin e objekteve, Mickoski u përgjigj shkurt se ai është adhurues i arkitekturës moderne.

Lexoni edhe këtë: Qeveria “harron” premtimet për “Shkupin 2014”

“Nuk dua të diskutoj për shijet. Ndoshta dikush ka një shije të caktuar në art që i pëlqen, dikush ka një drejtim tjetër në art që i pëlqen. Ndoshta ajo që nuk më pëlqen mua, i pëlqen dikujt tjetër. Por, unë jam adhurues i stilit modern dhe do të doja që të gjitha ato ndërtesa dhe struktura që përmendët të përfundojnë sa më shpejt, vetëm që të mos ia prishin pamjen kryeqytetit, sepse janë harruar deri më tani. Se a do ta braktisim, këtë duhet ta thonë ekspertët, arkitektët. Po e përsëris, nëse është e mundur, jam adhurues i stilit modern”, tha Mickoski.

Gruevski, i cili ishte promotor i stilit barok të “Shkupit 2014”, mori azil politik në Hungari pas akuzave për korrupsion, dhe pasi partia VMRO-DPMNE, të cilën ai e drejtoi, u kthye në pushtet pas shtatë vjetësh në opozitë pas zgjedhjeve parlamentare të majit.

Ky projekt, i ashtuquajtur arkitektonik-antik i qendrës së kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, është kritikuar shumë nga profesionistët vendës. Monumentet e periudhës antike morën kritika edhe nga Greqia, për shkak të mosmarrëveshjes me emrin "Maqedonia", e cila u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës në vitin 2018, pas së cilës Republika e Maqedonisë ndryshoi emrin e saj në Maqedoninë e Veriut dhe u bë anëtare e NATO-s në vitin 2020.

Ndërkaq, për shtatë vjet derisa pushteti ishte në “duart” e Lidhjes Socialdemokrate (LSDM) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), projekti “Shkupi 2014” mbeti në harresë. Dhjetëra pallate “shkëlqejnë” të papërfunduara dhe boshe, qoftë për pamjen e synuar baroke, qoftë për problemet në projektimin e ndërtesës, për shkak të të cilave nuk u dha leje për pranim teknik.

Makineri ndërtimi në oborrin e kishës së Shën Kostandini dhe Helena

Kisha “Shën Konstandini dhe Elena"

Goditjet e para ndërtimore janë dëgjuar këtë verë nga kambanorja e kishës “Shën Konstandini dhe Elena”, e cila ndodhet në qendër të qytetit, në rrugën “Maqedonia”. Në oborrin e kishës ndodhen tashmë makineritë e ndërtimit dhe po punohet për pastrimin e zonës.

“Më datë 29.07.2024, në Kryepeshkopatën e Kishës Ortodokse Maqedonase të Ohrit, në Komunën e Qendrës – Inspektorati i Ndërtimit e vendosi një njoftim për fillimin e punimeve ndërtimore për rinovimin e ambienteve të brendshme, katit përdhes dhe kambanores në tempullin e Shën Konstantinit dhe Elenës, në përputhje me planin dhe dinamikën e planifikuar për punën e Dioqezës Ortodokse të Shkupit për viti 2024”, thuhet në njoftim.

Nga Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) Radio Evropa e Lirë nuk mori asnjë përgjigje se pse pas kaq vitesh sapo kanë filluar ta mbarojnë punën në këtë kishë.

Ndërtimi i kishës një dekadë më parë bëri bujë në opinion, për shkak të betejës mes pushtetit të atëhershëm qendror të VMRO DPMNE-së dhe pushtetit lokal në Komunën Qendër të udhëhequr nga kryetari i opozitës, Andrej Zernovski, i cili nuk lejoi ndryshime të detajuara të planit urbanistik.

Në qershor të vitit 2013, qindra protestues rrethuan ndërtesën e komunës, ku asamblistët duhej të diskutonin për ndryshimet në planin e detajuar të planit urbanistik. Demonstruesit pretenduan se ishin pjesë e nismës civile “Veritas”, dhe se po protestonin pas spekulimeve në opinion se do të prishej kisha.

Lexoni edhe këtë: Padi penale për keqpërdorimet në projektin “Shkupi 2014”

Dy vjet më vonë, LSDM-ja e atëhershme opozitare në një konferencë për media publikoi një “bombë” në të cilën, siç dëgjohet nga bisedat telefonike të përgjuara ilegalisht, motivi i protestës ishte ndryshimi i Partisë Demokratike Shqiptare (PSHD), e cila do të bllokojë ndërtimin e të tjera.

Ndërtimi i kishës filloi në vitin 2012. Njoftimet ishin se do të ndërtohej për tre vjet. Por, edhe pas 12 vjetësh, kisha nuk ka përfunduar. Tarabat prej teneqeje rreth ndërtesës së kishës janë ende në këmbë dhe zënë pothuajse një të tretën e rrugës "Maqedonia" në pjesën qendrore të saj.

Në kantier ka ende një tabelë mbi të cilën shkruhet se investitor i kishës është themeli “Perandori Konstandin” dhe se punët ndërtimore i kryen ndërmarrja e Shkupit SH.A. “Beton”, Shkup. Kjo kompani është në proces likuidimi.

Se sa ka kushtuar ndërtimi deri më tani ka mbetur një “fshehtësi e shenjtë”, të cilën përfaqësuesit e KOM-it nuk e kanë ndarë asnjëherë me publikun. Por, Ministria e Drejtësisë në vitin 2018, publikoi listat e donatorëve për ndërtimin e kishës. Paratë për ndërtimin e kishës u mblodhën më pas në tri konferenca donatorësh. Të pranishëm ishin njerëz nga elita e biznesit, bankierë, politikanë dhe priftërinj nga kreu i KOM-it. Nga këto konferenca donatore janë mbledhur rreth 2 milionë euro, ka treguar hulumtimi i Laboratorit të Gazetarëve Hulumtues.

Shtëpia e Oficerëve

Puna po lulëzon në hotelin dhe Shtëpinë e Oficerëve

Hoteli dhe Shtëpia e Oficerëve në qendër të Shkupit janë në ndërtim e sipër tash e 13 vjet, pasi biznesmeni grek, Dimitris Condominas, filloi ndërtimin e tyre në vitin 2011.

Qeveria e atëhershme e Nikolla Gruevskit, përmes Ministrisë së Transportit, e cila drejtohet nga ministri Mile Janakieski, ia shiti atij këtë tokë atraktive me sipërfaqe prej 6.300 metra katrorësh me çmim prej 100 euro për metër katror, pra për 630.000 euro.

Sipas kontratës, zhvilluesi ka për obligim që kryetarit të Shkupit t'i ndërtojë zyrën e punës dhe zyrën e regjistrimit.

Ndërtesa e papërfunduar e Shtëpisë së Oficerëve

Por, pasi Condominas u arrestua në Greqi në vitin 2015 për evazion fiskal, projektin e mori përsipër biznesmeni rus Sergey Samsonenko, i cili bleu kompaninë e biznesmenit grek për 600.000 euro dhe vazhdoi ndërtimin e godinës në të njëjtat kushte.

Dhe tani Samsonenko udhëheq si investitor përmes kompanisë së tij, SIS Invest Group. Sipas tabelës së vendosur në kantier, lejen e parë të ndërtimit e kanë marrë në vitin 2012 dhe me ndryshimet e fundit në projekt, lejen e fundit të ndërtimit e kanë marrë në vitin 2022.

Hoteli në rrugën "Maqedonia" afër Shtëpisë së Oficerit

Ndërtimi i këtyre dy objekteve kishte ngecur për disa vite, por ato filluan të funksionojnë në terren qysh vitin e kaluar.

Komuna së fundi sqaroi se bëhet fjalë për dy hotele në të cilat ka njësi të vogla tregtare dhe lokale afariste.

“Më konkretisht, e ashtuquajtura ish-Shtëpia e Oficerëve është hotel, B5 hotel, dhe B4 hotel - institucione shtetërore [zyra e kryetarit të qytetit të Shkupit dhe zyra e regjistrimit] me njësi të vogla komerciale dhe afariste”, tha komuna.

Nga tri galerat e “Shkupit 2014”, njëra punon si hotel

Galera e vetme që do të vihet në punë

Në shtratin e lumit Vardar në qendër të Shkupit do të ketë anije deri në vitin 2035. Më pas skadon kontrata e fundit që Qyteti i Shkupit, ndërsa dy të tjerat skadojnë më 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Ish-kryetari i LSDM-së tani në opozitë, Petre Shilegov, premtoi se në Vardar nuk do të ketë galera. Ai filloi të rrënojë njërën nga tri galerat në pranverë të vitit 2021, por pjesa më e madhe e ndërtesës mbeti e betonuar në ujërat e Vardarit.

Galera e padëmtuar në lumin Vardar

Tani në hapësirën e poshtme, ka birra boshe, shishe plastike, mbeturina të ndryshme dhe djegie në dysheme, e cila po shkërmoqet nga lagështia. Kuverta e sipërme u bë një strehë për të pastrehët.

Pas një shëtitjeje të shkurtër nëpër platformën e lumit Vardar, vërehet se vetëm njëra nga tri galerat është vënë në funksion. Ai u ofron mysafirëve ushqim italian dhe një dhomë për të fjetur.

Dekorimi i galerave është vënë në funksion

Banka Popullore ende nuk ka shpallur tender për përfundimin e godinës së re

Në objektin e ri të Bankës Popullore prej muajsh nuk ka asnjë punë ndërtimore. Objekti, në kuadër të “Shkupit 2014”, gjendet në qendër të qytetit, pranë ndërtesës së MPJ-së dhe ende është i papërfunduar dhe për të deri më tani janë shpenzuar gati 15 milionë euro.

Banka Popullore iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se pas përfundimit të kontratës së ndërtimit, që ishte lidhur në vitin 2016, ka ndërmarrë të gjitha hapat për mbrojtjen e pronës së bankës, si dhe për të përcaktuar mundësitë për përfundimin e ndërtimit në një të ardhme të afërt.

“Për momentin po kryhet rregullimi i nevojshëm i dokumentacionit të projektit, i cili është pjesë e procedurës për prokurimin publik të shërbimeve projektuese, e cila do të ndiqet nga procedura e prokurimit publik të një kontraktori të ri ndërtimi, i cili duhet ta përfundojë ndërtimin e objektit”, thuhet në përgjigjen e Bankës Popullore.

Ndërtesa e re e Bankës Popullore ishte pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Sipas kontratës së lidhur atëherë me kompaninë ndërtimore “Beton”, ndërtimi ishte paraparë të kushtonte 23 milionë euro. Deri më tani, siç sqarojnë nga Banka Popullore, janë kryer më shumë se 60 për qind e punëve ndërtimore të parapara me kontratën bazë, përkatësisht “Beton”-it i janë paguar 15 milionë euro.

Tri fakultetet e parapara me “Shkupi 2014” janë ende në pritje të përfundimit të objekteve

Miliona nga thesari i shtetit u shpenzuan për ndërtesat, por studentët e Fakultetit të Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI), dhe atij të Dramës dhe Kulturës Fizike (FFK) nuk janë futur ende në objektet e reja. Ka kaluar saktësisht një dekadë nga fillimi i ndërtimit të objekteve për fakultetet FINKI dhe FFK.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, prej tre vitesh pohoi se po mendonte se si të ndryshonte pamjen e planifikuar barok të objekteve të papërfunduara, ndërsa studentët studionin në fakultete të tjera.

Objektet në ndërtim e sipër në Fakultetin e Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike dhe në Fakultetin e Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetësisë në Shkup, dhjetor 2023

Dhe kryesia e re e Ministrisë së Arsimit premton se ndërtimi i FINKI-t dhe FFK-së do të vazhdojë.

“Së shpejti do të bëhet inspektimi i aktiviteteve të deritanishme, vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga neglizhenca e objekteve në vitet e fundit dhe përcaktimi i gjendjes reale në të cilën gjenden ato.

Sipas këtij informacioni, do të parashikohen fondet buxhetore për vitet e ardhshme, pra për vitet në vijim kalendarike dhe do të kryhet një procedurë për përzgjedhjen e një kompanie të re ndërtuese që do të përfundojë ndërtimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit për Radion Evropa e Lirë.

Studentët në ndërtesat e ngushta barok presin një pamje të re

Në vitin 2015 studentët protestuan kundër idesë që ambientet e reja të kenë pamje barok, pasi siç thonë nga organizata e atëhershme studentore “Plenumi Studentor”, ndërtesa të tilla nuk do të futeshin në kampusin universitar.

Fasadat e papërfunduara nga projekti "Shkup 2014"

Rruga “Maqedonia” duhej të merrte një pamje barok, por ajo u realizua vetëm në gjysmën e rrugës. Tani ka ndërtesa pa fasada dhe pa izolim të jashtëm.

Paraqitja barok e fasadave të rrugës kryesore në qendër të Shkupit filloi në kohën e kryetarit Koce Trajanovski. Për këtë qëllim deri në vitin 2016 janë shpenzuar 10 milionë euro. Por, as pasardhësit e Trajanovskit, Shilegov dhe kryetarja aktuale Danela Arsovska nuk e zgjidhën këtë problem.

“Sa i përket fasadave që janë mbuluar me projektin ‘Shkupi 2014’, ju njoftojmë se të gjitha marrëveshjet janë realizuar dhe afatet për kohëzgjatjen e marrëveshjeve kanë skaduar dhe mjetet janë ndarë nga buxheti i Qeverisë. Qyteti i Shkupit nuk ka kompetencë për rehabilitimin e fasadave”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Shkupit në pyetjet e Radios Evropa e Lirë.

Qeveria e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski shpenzoi mbi 600 milionë euro para të shtetit për projektin kontrovers “Shkup 2014”, ndërsa ishin planifikuar 80 milionë euro.

Tani kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron përfundimin e projektit në vitin buxhetor 2025.

Përgatiti: Ekrem Idrizi