Stuhitë shkaktojnë kaos në Shkup

Vërshimet shkaktojnë kaos në Shkup. 30 gusht 2022.

Rrugë, parkingje dhe bodrume të përmbytura, shumë pemë të rrëzuara dhe njerëz të bllokuar në makinat e tyre, është ajo çka ka ndodhur pasditen e 30 gushtit në Shkup.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut, të shoqëruara me erëra të forta, bubullimë dhe breshër shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Stuhia që përfshiu kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, bëri që kryetarja e qytetit, Danella Arsovska, ta mbledhë urgjentisht Shtabin e Krizës. Ekipet ndodhen në terren, por për momentin nuk ka informacione për dëmet e shkaktuara.

Pemë e rrëzuar mbi një veturë në Shkup. 30 gusht 2022.

Reshjet e shiut kanë bllokuar më shumë rrugë të Shkupit, ndërkohë që erërat e forta kanë rrëzuar pemë, të cilat kanë dëmtuar automjetet dhe sistemin e furnizimit me energji elektrike, duke lënë pa rrymë shumë ndërtesa.

Përmbytjet kanë bllokuar urën e sheshit Skënderbeu, nën të cilën kishin mbetur të bllokuar brenda një mjeti transportues 15 persona. Pas intervenimit të zjarrfikësve, qytetarët e bllokuar janë evakuuar.

Qytetarët e bllokuar në një mjet transportues nën urën e shesit Skëndërbeu në Shkup. 30 gusht 2022.

Po ashtu është bllokuar edhe rruga që çon drejt ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, dhe ajo që çon drejt Gjykatës Themelore të Shkupit.

Rrugë e përmbytur nga reshjet e shiut në Shkup. 30 gusht 2022.

Veç Shkupit me rrethinë, vërshimet kanë përfshirë edhe disa qytete të Maqedonisë Lindore si: Shtipi, Demirhisari, Velesi dhe Sveti Nikole.