Maqedonia e Veriut ka vazhduar me lehtësimin e masave kufizuese dhe pas heqjes së orës policore. Prej ditës së enjte kanë nisur me punë edhe bizneset e gastronomisë. Ato do të punojnë në bazë të një protokolli të hartuar nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive, Shoqata e Gastronomisë dhe Ministria e Ekonomisë.
Restorantet, kafenetë dhe bizneset tjera, kanë nisur punën me kapacitete të përgjysmuara, duke pritet klientët vetëm nëpër terasat e lokaleve të tyre.
“Po punojmë në përputhje të plotë me rekomandimet e qeverisë, me kapacitet të përgjysmuar. Tavolina janë vendosur në distancë, ashtu siç është përcaktuar nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive. Në çdo tavolinë kemi vendosur mjete dezinfektuese, kemi personel të posaçëm që merret me këtë çështje. Më parë, në këtë ambient të jashtëm mund të shërbenim deri 150 klientë, ndërsa tani jo më shumë se 50”, thotë Dejan Stojanovski, pronar i një lokali.
“Jemi të gatshëm të presim mysafirët, besoj se do të kthemi në gjendjen normale. Ka qenë një periudhë shumë e rëndë, dy muaj pa punë, pa të ardhura. Urojmë që të mos përsëritet ajo kohë, por kjo varet nga të gjithë ne”, thotë Angel Trajkovski, pronar kafeneje.
Por, disa qytetarë nuk janë edhe aq të kënaqur me pamjet e disa prej lokaleve të hapura.
“Nuk jemi edhe aq të entuziazmuar. Shoh njerëz pa maska, nuk mbahet distanca, pra ende nuk jemi ndërgjegjësuar apo ende nuk po e kuptojmë rrezikun. Duket të kemi kujdes jo vetëm për veten tonë, por edhe për ata që kemi pranë nesh”, thotë një grua që kishte dalë në një lokal në qendër të Shkupit.
Njohësit e rrethanave ekonomike, thonë se paraqitja e koronavirusit ka goditur rëndë bizneset në vend, të cilat duhet ndihmuar nga shtetit, por gjithashtu tërheqin vërejtjen mbi nevojën e respektimit të masave, pasi çdo injorim i pandemisë mund të përkeqësojë gjendjen, jo vetëm në planin ekonomik, por para se gjithash në atë shëndetësor.
“Për këtë shkak mendoj se është shumë me rëndësi që të respektohet masat e qeverisë lidhur me mbajtjen e distancës fizike dhe të përdorimit të mjeteve dezinfektuese. E kuptoj se kjo është shumë e vështirë që të zbatohet rregulla të rrepta në lokale, por kjo duhet të bëhet që të mos kemi ndonjë përkeqësim të gjendjes, pasi të gjithë do ta pësojnë nga ndonjë veprim i papërgjegjshëm”, thotë profesori i ekonomisë, Naum Marinoski.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut shfuqizon të gjitha ndalesat për lëvizjen e qytetarëvePër shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, shumë biznese kanë ndërprerë aktivitetet ndërsa të tjerat kanë bërë shkurtime të vendeve të punës.
Qeveria në seancës e fundit ka miratuar pakon e tretë të masave ekonomike në vlerë prej 355 milionë eurosh, që kryesisht do të ndahen në formë të kartave bankare, vauçerëve, e që do të përfshijnë shtresat e popullatës me të ardhura të ulëta dhe ato që kanë humbur vendet e punës, por edhe për nxënësit dhe studentët.