Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut kanë rikthyer optimizmin për marrjen e datës së bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në veçanti pas takimit të së enjtes në Zagreb mes kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, të cilët u shprehën optimistë se “mund të ketë progres nëse vendet e unionit merren vesh për modernizimin e procesit të zgjerimit”.
Kryeministri kroat, Plenkoviq, kishte shprehur dëshirën që Samiti i Zagrebit do të rrumbullakojë punën 20-vjeçare, si dhe do të gjendet zgjidhje për zhbllokimin e vendimit për fillim të negociatave me shtetet që pretendojnë anëtarësimin.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut shprehen se janë të përkushtuar për vazhdimin e përparimit në të gjitha segmentet, përfshirë edhe procesin e reformave, me qëllim që të arrihet synimi kryesor, ai i nisjes së bisedimeve për anëtarim në Bashkimin Evropian.
“Pritet që në janar Komisioni të formulojë një metodologji të re, e cila del nga nisma franceze dhe e vendeve tjera anëtare, por natyrisht se do të kemi parasysh edhe atë se çfarë do të bëjmë deri në mars në kursin e reformave. Fokusi do të jetë para së gjithash në miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, si dhe në përgatitjen e zgjedhjeve demokratike parlamentare”, ka deklaruar Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për çështje evropiane.
SHIKONI EDHE: Zaev: Besojmë se BE-ja do ta përmirësojë gabimin historikEdhe disa nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare, kanë pritje të mëdha nga Kroacia, se si kryesuese me Bashkimin Evropian, do të bëjë çmos në hapjen e perspektivës evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat në samitin e tetorit të BE-së nuk arritën të marrin datën e bisedimeve për shkak të kundërshtimit të Francës.
SHIKONI EDHE: Presidentja e KE-së: Periudhë e rëndësishme për raportet BE-Ballkan
“Kroacia i takon Ballkanit dhe ajo është e interesuar që i tërë Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Por, për të arritur këtë duhet shumë punë, tani edhe për shkak të kritereve të reja që do të aplikohen me kërkesë të Francës, por edhe të vendeve tjera në kuadër të asaj që njihet si metodologji e re e anëtarësimit. Shpresoj se do të ketë edhe vazhdim të presioneve mbi Francën dhe Holandën që të paktën të zhbllokojnë vendimin për Maqedoninë e Veriut, e cila ka përmbushur kriteret për nisjen së bisedimeve të anëtarësimit, të cilat gjithsesi se do të jenë të gjata, pra marrja e datës nuk do të thotë edhe anëtarësim i menjëhershëm në BE”, thotë Llazar Llazarov, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare.
Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike, beson se këtë vit do të ketë zhvillime pozitive në procesin euro-integrues pas dështimit që vitin e kaluar vendi të niste bisedimet e anëtarësimit.
SHIKONI EDHE: Zhgënjimet me sistemin e drejtësisëPor, Dujoski thotë se institucionet i pret punë shumë serioze dhe e vështirë pasi edhe sikur të merret vendim për nisjen e bisedimeve, ato do të jenë të gjata dhe përplot sfida.
“Patjetër që duhet t’i përmirësojnë institucionet, t’i ngritin në nivel shumë më të lartë, duhet të kthejnë funksionimin e shtetit ligjor. Gjatë vitit të kaluar patëm shumë dështime në Gjyqësor, në funksionimin e Prokurorisë Speciale, e cila i vendosi një njollë shumë të keqe shtetit. Pa shtet të së drejtës nuk mund të pretendojmë integrimin evropian pasi është një nga kriteret kryesore për anëtarësim”, thotë Dujoski.
Për datën e bisedimeve do të diskutohet edhe gjatë vizitës javën e ardhshme në Shkup të komisionarit të ri evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi. Ai më 15 dhe 16 janar do të zhvillojë vizitën e parë në Maqedoninë e Veriut, ku me drejtuesit e institucioneve pritet bisedojë rreth propozim-metodologjisë së re për fillimin e bisedimeve aderuese si dhe për kursin e reformave, në veçanti ato që kanë të bëjnë me Gjyqësorin, si një nga sferat ku më së shumti ka ngecje.