Lirohet personi që dyshohej se planifikoi vendosjen e bombave në shkolla

Kërcënim me bombë të rreme në një qendër tregtare në Shkup 29 janar 2020.

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut njoftoi të enjten se e ka liruar të dyshuarin për kërcënime për vendosjen e bombave në shkolla të mesme të Shkupit.

Paraprakisht, ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka ndaluar të personin me inicialet N.N, i cili ishte marrë në bisedë informative dhe në koordinim me Prokurorinë Publike ishte bastisur shtëpia e tij.

“Të mërkurën në mbrëmje, sipas udhëzimeve të prokurorit publik janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme, dhe duke pasur parasysh se nga ekspertizat fillestare nuk është konstatuar lidhje mes personit dhe mesazheve të dërguara, personi është liruar pas marrjes në pyetje", thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.

Shkollat e mesme në Shkup gjatë kësaj kohe kanë marrë në adresat e tyre elektronike kërcënime për vendosje të bombave, gjë që ka shkaktuar panik dhe evakuim të nxënësve dhe personelit të shkollave.

Nëntë kërcënime për vendosje bombash janë denoncuar vetëm gjatë ditës së hënë.

Pas kontrolleve të njësiteve antiterroriste të policisë është konstatuar se bëhet fjalë për raporte të rreme.

Lidhur me rastin e ndalimit e personit, ka reaguar një platformë internet me emrin “Conservative.mk”, e cila njoftoi se personi që është marrë në pyetje nga policia është anëtari i saj, Nikolla Nikollovski, për të cilin pretendojnë se është arrestuar padrejtësisht.

“Paaftësia e MPB-së dhe e pushtetit rezultoi me arrestimin e personave të pafajshëm”, thuhet në reagimin e platformës.

Sipas tyre, “ky është një sulm klasik ndaj lirisë së fjalës, demokracisë dhe një mënyrë e presionit për të shtypur disidentët”.

Në përshkrimin e punës së platformës “Konservativ.mk”, të publikuar në faqen e tyre, thuhet se është një lëvizje, angazhimet kryesore të së cilës janë demokracia, tregu i lirë, mjedisi i shëndetshëm, si dhe konservatorizmi si ideologji dhe liberalizmi klasik si orientimet e djathta ose të qendrës së djathtë.

Në profilin e Facebook-ut të platformës “Koznervativ.mk”, ndër të tjera mund të shihen postime të disa muajve më parë ku i bëhet thirrje Qeverisë që të refuzojë propozimin francez dhe të mbështesë protestën e organizuar nga VMRO-DPMNE, më 5 korrik.

SHIKONI EDHE: Sulm kibernetik ndaj Ministrisë së Arsimit në Maqedoni të V.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski më herët pati deklaruar se nuk përjashtohet mundësia e siç ka thënë “lojërave politike”, apo edhe e ndonjë sulmi kibernetik, siç ishte edhe rasti me sulmin ndaj faqes së internetit të ministrisë së Arsimit.

Spasovski tha se tashmë kanë arritur deri tek informacionet e para se prej ku janë dërguar e-mailet me alarme për vendosje bombash në adresë të shkollave të mesme.

“Më e rëndësishmja është që të arrijmë të zbulojmë të gjitha IP adresat prej ku vjen ky akt monstruoz, pa dallim nëse bëhet fjalë për sulm kibernetik mbi Maqedoninë e Veriut ose për lojëra politike, si një prej supozimeve. Pa dallim se për çfarë bëhet fjalë, askush nuk duhet të lejojë që të luajë me fatin e fëmijëve dhe të gjithë ne. Kjo është një temë e ndjeshme dhe pa marrë parasysh se kush i porositë të gjitha këto, duhet ta dini se nuk mund bëhen lojëra me sistemin dhe qytetarët”, ka deklaruar ai.