Punëtorët e Higjienës Komunale, në Shkup, nga e premtja në darkë e deri të hënën pasdite kanë protestuar për të kundërshtuar largimin e mbi 100 të punësuarve, të cilët u shkarkuan nga ana e drejtoreshës së ndërmarrjes publike, Kosana Maznev.
Të punësuarit nga ndërmarrja Higjiena Komunale konfirmuan për Radion Evropa e Lirë më 10 korrik se greva u ndërpre dhe punëtorët do të dilnin në terren për të mbledhur mbeturinat.
“[Kërkojmë të bëhet] rritja e pagave, pagesa e pagës së 13-të, dhe sigurimi i stazhit të benificuar, pasi punonjësit tanë punojnë në kushte shumë të vështira, dhe janë të ekspozuar ndaj sëmundjeve në vazhdimësi”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë drejtuesi i sindikatës së punonjësve të Higjienës Komunale, Deli Dardhishta.
Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, ka thënë se nga puna janë larguar vetëm personat që nuk kanë punuar, ndërkohë që kanë figuruar në listën për rroga.
Mazneva ka pohuar se protesta e punëtorëve në ndërmarrjen që e drejton ishte e motivuar politikisht.
Kryetarja e Shkupit ka pohuar të hënën se kontejnerët e mbeturinave kanë nisur të pastrohen.
“Shkupi po pastrohet, ekipet e Higjienës Komunale kanë dalë në terren, gjendja në këtë ndërmarrje po normalizohet”, ka shkruar Danella Arsovska në Facebook.
Por, punëtorët e Higjienës Komunale kanë thënë se kryetarja e Komunës po manipulon me pastrimin e objekteve që janë pjesë e institucioneve shëndetësore.
Pas ndërprerjes së grevës, punëtorët thanë se sindikata e tyre do të vazhdojë bisedimet me drejtorinë e ndërmarrjes Higjiena Komunale për plotësimin e kërkesave të tyre.
Punëtorët e Higjienës Komunale në Shkup më herët kanë pohuar se përballen me presion nga drejtoria e ndërmarrjes, me kërcënimin se do të largohen nga puna.
Qyteti i Shkupit është gdhirë i mbuluar nga mbeturinat, për të katërtën ditë me radhë, pasi ndërmarrja Higjiena Komunale ishte në grevë. Punonjësit e kësaj ndërmarrjeje kanë pastruar vetëm institucionet shëndetësore. Ndërkaq, pasditen e 10 korrikut, punëtorët konfirmuan se kanë ndërprerë grevën.