Avokuesja për të drejtat e njeriut dhe njëherësh laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të rrisin mbështetjen për vajzat dhe gratë afgane.
“Momentalisht, Afganistani është shteti i vetëm ku vajzat nuk kanë qasje në arsimin e mesëm. Atyre u është ndaluar që të mësojnë”, tha 24-vjeçarja Yousafzai në Uashington teksa po qëndronte përkrah Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“Kam punuar së bashku me vajzat afgane dhe gratë aktiviste dhe ky është mesazhi i vetëm i tyre: se atyre duhet t’u jepet e drejta për të punuar. Ato duhet të jenë në gjendje që të shkojnë në shkollë”, tha ajo më 6 dhjetor.
“Pra, ky është mesazhi që kanë vajzat afgane tani: Ne duam ta shohim një botë ku të gjitha vajzat kanë qasje në shkollim të sigurt dhe cilësor”, tha ajo, teksa prezantoi një letër drejtuar presidentit amerikan, Joe Biden nga një vajzë 15 vjeçe nga Afganistani e quajtur Sotodah.
SHIKONI EDHE: Vajzat i luftojnë me teknologji ndalesat e talibanëveSipas Yousafzai, kjo vajzë ka shkruar në letrën e saj se “sa më shumë që shkollat dhe universitetet do të qëndrojnë të mbyllura për vajzat, aq më shumë do të zbehet shpresa për të ardhmen e tyre”.
“Shkollimi i vajzave është një mjet i fuqishëm për të sjellë paqe dhe siguri”, shtoi Yousafzai teksa lexoi letrën. “Nëse vajzat nuk shkollohen, edhe Afganistani do të vuajë”.
Që prej se talibanët morën kontrollin e shtetit në mesin e muajit gusht, shkollat në Afganistan janë rihapur, por shumica vetëm për djemtë.
“Ne shpresojmë që Shtetet e Bashkuara së bashku me Kombet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të menjëhershme që do të siguruar që vajzat të lejohen të kthehen në shkollat e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Yousafzai para se të zhvillonte një takim privat me Sekretarin Blinken.
SHIKONI EDHE: Talibanët publikojnë dekret për të drejtat e graveSi 15-vjeçare më 2012, Yousafzai ishte qëlluar me armë zjarri në kokë, teksa po udhëtonte me autobusin e shkollës. Ajo u qëllua nga sulmues talibanë në Luginën Svat në veriperëndim të Pakistanit, për arsye se ajo kishte bërë fushatë për shkollimin e vajzave, që kundërshtohet nga grupi ekstremist.
Pasi u trajtua në Pakistan, por edhe jashtë vendit për plagët që mori, më 2014 ajo fitoi Çmimin Nobel për Paqe për shkak të fushatës së saj për mbështetjen e shkollimit të vajzave.
Sekretari Blinken tha se Yousafzai është “është me të vërtetë një frymëzim – frymëzim për ne, frymëzim për vajzat dhe gratë në mbarë botën”.
“Me punën dhe përpjekjet e saja, ajo po bën ndryshim të vërtetë”, shtoi ai.