Printeri 3D që po ndihmon në ndërtim të shkollës në Ukrainë

Teknologjia hipermoderne e ndërtimtarisë është duke u përdorur për të ndërtuar një shkollë në Lviv të Ukrainës. Organizatorët e këtij projekti shpresojnë se ky model bazë do të shpërbejë si ndihmë në rindërtimin e shumtë që e pret Ukrainën pas përfundimit të luftës.

Një shkollë e printuar 3D është duke u bërë në Lviv më 24 maj.

Shtresë pas shtrese, shkolla e parë e ndërtuar me printer 3D në Evropë, është duke u realizuar në një lagje në qytetin e Lvivit, që gjendet në Ukrainën perëndimore.

Një grykë printimi që vendos përzierjen e betonit në vendin e ndërtimit në Lviv.

Ky projekt është organizuar nga grupi humanitar Team4UA, ku përdorin pajisje nga kompania COBOD, e cila është një kompani daneze e ndërtimtarisë me printerët 3D. Për të realizuar një ndërtim të tillë, nevojiten tre persona në mënyrë që ta drejtojnë dhe monitorojnë punën e robotit. ​

Përshkrim i një artisti se si mund të duket shkolla fillore e Lviv.

Kjo shkollë fillore ka për qëllim të përdoret si model, te i cili do të bazohen për ndërtimin e ndërtesave të tjera përgjatë Ukrainës. Kievi zyrtar thotë se së paku 277 shkolla janë shkatërruar si pasojë e pushtimit rus, kështu duke lënë mijëra fëmijë ukrainas jashtë klasave.

Brendia e imagjinuar e shkollës fillore në Lviv.

Aktualisht, Lvivi është shtëpi e 250 mijë njerëzve të zhvendosur, ku 75 mijë prej tyre janë fëmijë. Ndërtimi i kësaj shkolle do të bëhet në mënyrë hibride, ku një pjesë do të ndërtohet me printerët 3D, ndërsa pjesa tjetër do të ndërtohet me dorë.

Në një intervistë për BBC-në të bërë në Lviv, themeluesi i kompanisë daneze të printerëve 3D, Henrik Lund-Neilsen, tha se kjo teknologji është shumë më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme financiarisht, në krahasim me metodat e tjera të ndërtimtarisë. Ai tutje shtoi se “zakonisht me projektin e parë nuk do të mund të kursehet shumë, mirëpo pasi që ia marrin dorën, ata do ta punojnë shumë më shpejt dhe do të kursejnë para”.

Gryka e printimit gjatë punës në Lviv, më 24 maj.

Lund-Nielsen tha për BBC-në se 99 për qind e materialit të përzier të betonit është marrë në Ukrainë. Organizatorët e projektit thanë se kanë një synim afatgjatë, që të dërgojnë printerë 3D sa më shpejt në Ukrainë, në mënyrë që t’i ndërtojnë qytetet e rrënuara.

Faza e parë e ndërtimit në mënyrë hibride e shkollës planifikohet të realizohet me printerin 3D deri në fillim të qershorit, ndërsa me të gjitha punimet e tjera, shkolla pritet të kompletohet në fund të vitit 2023.

Përgatiti: Albina Kastrati