Rusia ka reaguar ndaj akuzave të Shteteve të Bashkuara se Moska është duke shkelur kushtet e një traktati të rëndësishëm të Luftës së Ftohtë për armët.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, nëpërmjet një deklarate ka thënë, se “akuzat janë absolutisht të pabazuara”.
Kjo deklaratë ka ardhur vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të ndërmarrin masa ekonomike dhe ushtarake kundër Moskës, si përgjigje ndaj mosmarrëveshjeve tensionuese rreth një rakete ruse, të cilën Uashingtoni e konsideron si shkelje të Traktatit për Forcat Atomike me Rreze të Mesme Veprimi (INF).
Ky traktat konsiderohet si i rëndësishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe ish-Bashkimit Sovjetik, për të eliminuar për herë të parë raketat balistike në Evropë.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar zyrtarisht Rusinë për zhvillimin e raketave në kundërshtim me Traktatin e INF-së më 2014, ndonëse ekspertët e Inteligjencës kanë thënë se sistemi ishte duke u zhvilluar disa vite më parë.
Më herët, gjatë këtij vit, Uashingtoni ka thënë se raketa ishte në gjendje pune.
Më 29 nëntor, zyrtari i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Christopher Ford, ka qenë i përfshirë në kontrollin e armëve, duke identifikuar raketën 9M729, në të cilën ekspertët e kontrollit të armëve janë fokusuar tani.
Kjo ka ngritur shqetësime se raketa e re mund të jetë e padallueshme nga sistemi aktual dhe nuk mbulohet nga Traktati INF, që përfshin sistemin shumë të sofistikuar të raketave Iskander-M.
Kjo mund të jetë sfidë për të verifikuar nëse arma është në pajtueshmëri me marrëveshjen.
Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka specifikuar se çfarë masa do të marrë, mirëpo ka thënë se do të ndjekë hapa diplomatikë, ekonomikë dhe ushtarakë për ta shtyrë Moskën drejt gjendjes së pajtueshmërisë në kuadër të Traktatit.
Në deklaratën e Ryabkovit, thuhet se nuk ka prova se Moska e ka rrezikuar marrëveshjen, duke zhvilluar sistem të ri raketor.
Sipas tij, raketa për të cilën bëhet fjalë, ka një rreze shumë më të vogël seç supozon SHBA-ja.
“Janë qesharake këto tentime për të na frikësuar”, ka thënë Ryabkov, duke shtuar se presioni ushtarak apo ekonomik nuk do të kishte ndonjë ndikim te Moska.
Ekspertë dhe zyrtarë amerikanë dhe ata rusë do të takohen gjatë javës së ardhshme në kuadër të një Komisioni Special për Verifikim, i lidhur me Traktatin e INF-së.
Takimet e kaluara nuk janë parë si arritje të mëdha.
Ryabkov ka thënë se supozimet e SHBA-së, mund “t’i prishin”, këto bisedime.