Për herë të dytë me radhë, qyteza e Vitisë do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike.
Pas debutimit në vitin 2016 në Rio de Zhaneiro, me shenjëtaren Urata Rama, këtë vit në Tokio bashkë me sportistët e tjerë nga Kosova, do të udhëtojë edhe 33-vjeçari nga Vitia, Drilon Ibrahimi.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shenjëtari Ibrahimi, tregon për sfidat që ka pasur përgjatë 17 vjetëve për të arritur ëndrrën e tij.
Prej marrjes së ftesës për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Tokio, ai është duke ushtruar çdo ditë nga 3 orë në poligonin e qitjes në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
SHIKONI EDHE: Japonia i lejon tifozët në Olimpiadë“Më shumë më është bërë edhe pjesë e jetës më, gjithë kohën duke u marrë me shenjëtari, me qitje. Është një kohë goxha e gjatë, po bëhen 17 vjet që merrem me këtë sport. Mundohesh të fokusohesh, të hysh tamam në garë, sikur aktorët që hynë në rol edhe t'i duhet të hysh në rolin e qitësit dhe të mendosh vetëm për 10-shen”, tregon Ibrahimi.
Shpresa që një ditë të rreshtohet me më të mirët e botës, filloi kur Federata e Shenjëtarisë u pranua ndërkombtarisht.
Kosova është bërë anëtare e Komitetit Olimpik në vitin 2014.
“Ëndërr e kam pasur, por nuk mund të them që e kam menduar, për shkak se deri vonë nuk kemi qenë të pranuar në arenën ndërkombëtare me shenjëtari. Ëndrra për Lojëra Olimpike ka filluar tek pas pranimit të Federatës së Shenjëtarisë në Komitetin Ndërkombëtar, përndryshe, përderisa ishim vetëm në Kosovë, nuk e kam ditur a do të vazhdoja më me qitjen. Ka qenë mundësia shumë e madhe edhe ta lë këtë sport, të shkojë në kurbet ose diçka tjetër”, thotë Ibrahimi.
SHIKONI EDHE: A do të mbahen Lojërat Olimpike në Tokio, pavarësisht COVID-19?Puna tetorëshe si shitës ambulant
Drilon Ibrahimi ka më shumë se katër vjet e gjysmë që punon si shitës ambulant. Nga ora 8:00 e deri në orët e pasdites, ai me fugonin tij shpërndan kafe dhe produkte të tjera të nevojshme për gastronomi, në disa qytete të Kosovës.
Me këtë punë ai thotë që e mban familjen, derisa të hyrat nga sporti i shenjëtarisë, i ka vetëm nga bursa e ndarë nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Është punë në terren. Prej Vitisë shkoj në Ferizaj, prej Ferizajt në Prishtinë, Fushë Kosovë. Zakonisht terrenin e Prishtinës e lë në fund që të vazhdoj pastaj me ushtrimet”, thotë Ibrahimi.
Përkundër lodhjes gjatë punës në terren, ushtrimet i vazhdon deri në orët e mbrëmjes.
Kosova synon më shumë se një medalje në Tokio
E përfaqësuar nga tetë sportistë, Kosova debutoi në Lojërat Olimpike në vitin 2016, në Rio. Me medalje të artë nga Brazili u kthye xhudistja Majlinda Kelmendi.
SHIKONI EDHE: Kosova shpreson të përfaqësohet me 12 sportistë në Lojërat Olimpike në TokioKjo do të jetë hera e dytë që Kosova merr pjesë në këto lojëra. Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), thotë për Radion Evropa e Lirë se deri në fund të këtij muaji, do të dihet edhe sportisti i 12-të që do t’i bashkohet ekipit olimpik.
“Deri më tani janë 11 sportistë, prej tyre gjashtë janë me normë olimpike, pesë vijnë nga sporti i xhudos dhe një nga mundja. Pesë sportistët e tjerë që do të marrin pjesë, janë dy notarë, një atlet si dhe dy ftesa i kemi nga komisioni trepalësh për boksieren Donjeta Sadiku dhe shenjëtarin Drilon Ibrahimi”, thotë Krasniqi.
Komiteti Olimpik i Kosovës shpreson që të kthehet nga Japonia me më shumë se një medalje.
Lojërat Olimpike ishin paraparë të mbaheshin në verën e vitit 2020, por për shkak të pandemisë, do të mbahen sivjet nga 23 korriku deri më 8 gusht.