Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, vdiq pasi u sulmua me armë zjarri në një ngjarje në qytetin Nara, raporton transmetuesi japonez, NHK.
Abe, 67 vjeç, po mbante një fjalim për zgjedhjet, kur u qëllua me dy plumba.
Sulmuesi i dyshuar u arrestua në vendin e ngjarjes, ndërsa Abe u dërgua menjëherë në spital në gjendje të rëndë.
"Sipas një zyrtari të lartë të LDP-së [partisë së Abes], ish-kryeministri vdiq në një spital në Kashihara, rajoni Nara, ku po merrte trajtim mjekësor. Ai ishte 67 vjeç", raportoi NHK.
Sipas burimit të njëjtë, sulmuesi i dyshuar, i identifikuar si Tetsuya Yamagami, 41 vjeç, i ka thënë policisë se ishte i pakënaqur me Aben dhe se donte ta vriste.
“Cilado qoftë arsyeja, një akt i tillë barbar nuk mund të tolerohet kurrë dhe ne e dënojmë ashpër atë”, tha sekretari i kabinetit japonez, Hirokazu Matsuno.
Abe ka thyer rekordet si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.
Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. Atëbotë, ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore. Më vonë ka zbuluar se i është kthyer koliti ulceroz - një sëmundje e zorrëve.
Abe është pasuar nga aleati i tij i ngushtë i partisë, Yoshihide Suga, i cili më vonë është zëvendësuar nga Fumio Kishida.
Incidentet me armë zjarri janë të rralla në Japoni. Armët e dorës atje janë të ndaluara.
SHIKONI EDHE: Liderët botërorë dënojnë sulmin ndaj AbesNgritja në pushtet
Me pseudonimin “Princ”, Shinzo Abe ka qenë djali i ish-ministrit të Jashtëm, Shintaro Abe, dhe nipi i ish-kryeministrit, Nobusuke Kishi.
Ai është zgjedhur për herë të parë në Parlament në vitin 1993, ndërsa më 2005 është bërë anëtar i kabinetit, duke u emëruar sekretar kryesor nga kryeministri i atëhershëm, Junichiro Koizumi.
Më 2006, Abe është bërë kryeministri më i ri i Japonisë së pasluftës.
Megjithatë, një sërë skandalesh - duke përfshirë humbjen e të dhënave të pensioneve nga Qeveria - kanë prekur administratën e tij.
Në shtator të vitit 2007, ai ka dhënë dorëheqje, për shkak të kolitit ulceroz.
SHIKONI EDHE: Dorëhiqet kryeministri i Japonisë, Shinzo AbeAbe është kthyer si kryeministër në vitin 2012, duke thënë se ka kapërcyer sëmundjen me ndihmën e mjekimeve.
Ai është rizgjedhur më pas në vitin 2014 dhe në vitin 2017, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.
Popullariteti i Abes është luhatur, por ai ka mbetur kryesisht i pasfidueshëm si kryeministër, për shkak të ndikimit në partinë e tij LDP, e cila i ka ndryshuar rregullat e saj për t’i mundësuar atij që të shërbejë edhe mandatin e tretë si lider partie.
Një nacionalist i diskutueshëm
Abe është i njohur për qëndrim të ashpër ndaj mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Për kohë të gjatë, ai ka kërkuar të ndryshojë Kushtetutën pacifiste të Japonisë së pasluftës.
Pikëpamjet e tij nacionaliste shpesh i kanë rritur tensionet me Kinën dhe Korenë e Jugut, veçanërisht pas vizitës së tij - në vitin 2013 - në faltoren Yasukuni të Tokios. Ky është një lokacion i diskutueshëm që lidhet me militarizmin japonez para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 2015, ai ka kërkuar të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive, duke i mundësuar Japonisë që t’i mobilizojë trupat jashtë shtetit, për të mbrojtur veten dhe aleatët nën sulm.
Pavarësisht kundërshtimeve nga fqinjët e Japonisë e, madje, edhe nga publiku vendas, Parlamenti japonez e ka miratuar këtë ndryshim.
Trajtimi i ekonomisë dhe i pandemisë COVID-19
Abe, gjithashtu, është njohur si “Abenomics” - një referencë për politikën e tij ekonomike, të ndërtuar mbi lehtësimin monetar, stimulin fiskal dhe reformat strukturore.
Këto masa kanë çuar në rritje ekonomike gjatë mandatit të tij të parë, por ngadalësimet e mëvonshme kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e tyre.
Përpjekjet e tij për të ringjallur ekonominë janë përballur me sfida, kur Japonia, në pranverën e vitit 2020, ka hyrë në recesion, për herë të parë që nga viti 2015.
Popullariteti i tij është goditur edhe më, pas kritikave për trajtimin e pandemisë COVID-19.
Ka pasur shqetësime se fushatat për nxitjen e turizmit vendas kanë kontribuar në rritjen e numrit të rasteve me këtë sëmundje.
Nisma e Abes për bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor
Në vitin 2018, Abe është bërë iniciator i Nismës japoneze për Bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor.
Qëllimi i saj ishte mbështetja e reformave socio-ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë anëtarësimin në BE, si dhe lehtësimi i bashkëpunimit në rajon.
“Japonia vlerëson shumë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ne do të promovojmë bashkëpunimin përmes Nismës për Bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor'“, ka deklaruar Abe.
Në kuadër të kësaj iniciative, Japonia ka hapur ambasadën e saj në Kosovë, më 1 janar të vitit 2020.
I ngarkuari me punë i kësaj ambasade në atë kohë, Ogasawara Mitsunori, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “Kosova nuk duket se ka një status të qëndrueshëm në bashkësinë ndërkombëtare”.
“Kjo është arsyeja se përse ne po përpiqemi ta mbështesim atë në zgjidhjen e problemeve të brendshme, si varfëria, por edhe në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Mitsunori në qershor të vitit 2020.
Ai ka shtuar se hapja e Ambasadës së Japonisë në Kosovë tregon se Japonia dëshiron të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të ndihmojë Kosovën në tërheqjen e investimeve japoneze.
SHIKONI EDHE: Japonia hap dyert e saj për KosovënJaponia ka ndihmuar Kosovën për më shumë se 20 vjet në projekte të tilla si rinovimi i shkollave dhe spitaleve.
Pas iniciativës së Shinzo Abes për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, Japonia ka kontribuar në rritjen e kapacitetit të kontrollit të ndotjes së ajrit, rritjen e kapaciteteve të mediumit publik në Kosovë, si dhe rritjen e kapaciteteve për personelin mjekësor dhe arsimor.
Kontributet e saj kanë kapur vlerën e mbi 20 milionë eurove.