QKUK-ja dhe spitalet rajonale i rikthehen punës me kapacitet të plotë

QKUK.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme rajonale, ka filluar rikthimi i shërbimeve të ambulancave specialistike si dhe i operacioneve joemergjente.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, tha se ky vendim vjen pas “situatës relativisht të qetë pandemike”.

Qeveria e Kosovës, më 25 shtator, prezantoi masat e reja kundër koronavirusit, ku u përfshi edhe rikthimi i shërbimeve shëndetësore, por në përputhje me rekomandimet e autoriteteve për mbrojtje nga koronavirusi. Këto shërbime u ndërprenë në muajin mars, kur në Kosovë u regjistruan rastet e para me koronavirusin e ri. Kjo ndërprerje u tha se po bëhet për të ruajtur personelin shëndetësor, por edhe pacientët, nga infektimi eventual me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Në pandemi, qytetarët hezitojnë të marrin shërbime mjekësore

Mjekët në QKUK thonë se qe katër javë po trajtojnë të gjitha rastet kirurgjike, pasi paraprakisht ishte punuar me kujdestari të mjekëve kirurgë.

Ata gjithashtu thonë se ka pasur hendek në trajtimin e pacientëve, jo për shkak të mungesës së mjekëve, por hezitimit të vetë qytetarëve, që të trajtohen brenda objektit të QKUK-së, sidomos gjatë muajit mars dhe prill.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Murat Berisha, drejtor i Klinikës Kirurgjike të Fëmijëve, sipas të cilit, Ministria e Shëndetësisë ndaloi trajtimin e rasteve jourgjente, si preventivë nga infektimi me koronavirus.

“Pacientët kanë pasur frikë për shkak të koronavirusit dhe më pas është komplikuar gjendja shëndetësore e tyre. Ne kemi qenë në dispozicion vazhdimisht, problemi ka qenë te qytetarët. Komplikimet kanë ndodhur dhe karakteristikë është që gjatë pandemisë rastet urgjente janë vonuar”, thotë Berisha.

Në QKUK thonë se tashmë nuk ka më listë të pritjes dhe se operacionet po kryhen sipas kalendarit.

Anesteziologu Nehat Baftiu, bëri të ditur se përveç se punojnë në sallat e operative, anesteziologët po vazhdojnë t’i trajtojnë edhe pacientët me COVID-19, që janë të shtrirë në Mjekimin Intensiv Qendror.

“Është java e tretë që po punojmë me kapacitete të plotë në salla. Tash jemi të ngarkuar shumë, pasi i kemi 40 salla operative brenda QKUK-së. Gjithashtu jemi të angazhuar në hapësirat ku janë pacientët COVID pozitivë. Në Mjekimin Intensiv Qendror janë anesteziologët që merren me ta”, tha Baftiu.

SHIKONI EDHE: Anesteziologët ikin nga QKUK-ja

Pacientë të cilët kanë pasur aksidente komunikacioni, aksident në punë, e të ngjashme, e që kanë pasur fraktura, u është dashur që t’i drejtohen Klinikën Ortopedike të QKUK-së, e në raste të caktuara, ata edhe u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.

Sipas ortopedit Xhemajl Selmani, për shkak të natyrës së punës, kjo Klinikë ka pranuar me pacientë gjatë gjithë kohës, përfshirë edhe në muajt mars e prill, kur masat kundër pandemisë ishin më të ashpra.

“Në Klinikën e Ortopedisë nuk është ndalur puna për shkak të natyrë së punës. Në repartin tonë është bërë e njëjta punë, pasi që aksidentet në komunikacion, punë, e të ngjashme ndodhin dhe duhet intervenuar në këto trauma. Salla kirurgjike ka punuar vazhdimisht”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Qendra Emergjente e mbingarkuar, klinikat vetëm me raste urgjente

Sidoqoftë, dilema gjatë kohës kur Qendra Universitare e Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, punonte me kapacitete të limituara, ka qenë se cilat janë raste emergjente e cilat jo.

Mjekët thonë se Klinika Emergjente e QKUK-së ka qenë Klinika me fluksin më të madh të pacientëve, pasi ajo ka qenë institucioni i parë që pacientët i janë drejtuar.

Paqartësi rreth rasteve jourgjente

Megjithatë, mosofrimi i shërbimeve në të gjitha nivelet ka rritur ankesat e pacientëve.

Sipas kryetarit të Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, situata e muajve të fundit ka krijuar shumë paqartësi sepse shpeshherë nuk është ditur nëse një pacient është rast urgjent ose jo.

"Kemi pasur ankesa nga ana e pacientëve shpesh gjatë kohës së pandemisë, kjo pasi ata kanë shkuar të marrin shërbim shëndetësor, e janë konsideruar si raste joemergjent. Kemi pasur edhe ankesa kur edhe nëse ka qenë rast për trajtim, janë detyruar që para trajtimit të presin rezultatet e testit për COVID-19, e që është konsideruar si vonesë në trajtim”, thotë ai.

Sidoqoftë, derisa është punuar me kujdestari, nëpër spitale publike janë pranuar vetëm rastet urgjente, Qendra Emergjente ka qenë pikë referimi për pacientët në nevojë, për t’u orientuar më pas në klinika përkatëse.