Shënojnë rritje denoncimet e punonjësve të administratës në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut po shënon rritje numri i punonjësve në administratë të cilët e denoncojnë presionin në vendin e punës, por për ta inkurajues mbetet fakti se pas denoncimit institucionet veprojnë shumë ngadalë.

Ekspertët në këtë lëmi konsiderojnë se me aplikimin e veglës nga ana e Ministrisë së Shoqërisë informative “denonco presionin në vendin e punës”, krijohet një mekanizëm i mirë për ndërgjegjësimin e punëtorëve në administratën e shtetit se nuk duhet të tolerojnë trysninë nga ana e strukturave udhëheqëse për realizmin e qëllimeve partiake.

SHIKONI EDHE: Shkup: Reformat e administratës shtetërore shihen me skepticizëm

“Po përmes këtij programi i cili mundëson që në formë elektronike të gjithë adminitratorët të cilët ndjejnë presion në vendin e punës të mund t'i denoncojnë ato, mendoj se do të rritet numri i denocimeve para organeve kompetente për këtë çështje".

"Nga ana tjetër, mendoj se edhe impakti i kësaj vegle do të jetë më i madh edhe tek punëdhënësit të cilët duke e ditur se kanë një mekanizëm në duar për mbrojtje, punëtorët do të mendojnë dy herë nëse ia vlen të ushtrojnë presion", thotë për Radion Evropa e Lirë, Agron Rustemi, ligjërues në Fakultetin e Administratës Publike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Raportimi elektronik, në kuadër të dikasterit të shoqërisë informative është anonim, por një person i caktuar i cili denoncon një rast të caktuar, ka mundësi t'i shënojë edhe të dhenat e tij personale të cilat organet kompetente duhet t'i mbrojnë, sepse kjo e drejtë u garantohet qytetarëve përmes ligjit.

Por, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se presioni ndaj administratës është më i theksuar gjatë fushatave zgjedhore, por kesaj radhe Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidës së caktimit të datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian, andaj dhe strukturat udhëheqëse do të jenë më të kujdesshme, në të kundërtën nota negative do të paraqes plagë për përmbushjen e kritereve që kërkohen nga Brukseli.

“Me rëndesi është fushata për inkurajimin e qytetarëve që t'i paraqesin rastet e këtilla atëhërë edhe vetë sistemi do të ketë rezervë për të ndërmarrë çfarëdo lloj veprimi të presionit ndaj punonjësve në administratë", thotë Musliu.

SHIKONI EDHE: Administrata në shërbim të politikës

Nga ana tjetër, Gjorgji Tonovski, sociolog, thotë se duhet të veprojnë në formë të gërshetuar më shumë institucione për të krijuar hapësirë që adminsitrata shtetërore të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo drejtuesve të institucioneve.

“Kjo frikë që mbizotëron në mesin e adminsitratorëve nuk mund të zhduket brenda natës, ndërkohë që punëdhënës kryesor mbetet pikërisht pushteti qendror dhe ai lokal. Megjithatë nga diku duhet të fillohet që të parandalohet kepërdorimi i pozitës drejtuese për qëllime politike”, thotë Tonovski.

Ndryshe, edhe në raportin e fundit të Avokatit të popullit, është theksuar se po shënon rritje numri i raportimeve që kanë të bëjnë me diskriminimin në forma të ndryshme në vendin e punës.