Zjarrfikësit duke lokalizuar flakët në zonën e Shëngjinit.
Zjarri ka kapluar çadrat dhe rrethojën në kompleksin turistik Inheritor, që gjendet pranë portit të Shëngjinit, në zonën që njihet si Rana e vogël.
Përveç forcave zjarrfikëse të pushtetit vendor, për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe helikopteri Cougar, por si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe bizneset në atë pjesë.
Disa vatra zjarri në fshatin Mali i Shëngjinit në Shqipëri që kishin nisur të shtunën pasdite, janë riaktivizuar mëngjesin e hënës dhe kanë përfshirë sipërfaqe më të mëdha.
Për shkak të erës, izolimi i vatrave të zjarrit është i pamundur.
Në një njoftim të prefekturës së Lezhës, mëngjesin e së martës, theksohet se “vatra e zjarrit në fshatin Mali i Shëngjinit ka dalë plotësisht jashtë kontrollit”.
Sipas njoftimit, gjatë gjithë natës kanë operuar 20 mjete zjarrfikëse me personelin përkatës.
Prefektura e Lezhës thekson se pavarësisht angazhimit të të gjitha forcave, është e pamundur vënia nën kontroll e zjarrit, dhe si rezultat rrezikohen shumë biznese, por dhe shtëpi banimi.
Për të shuar zjarret janë angazhuar edhe mjete zjarrfikëse dhe ekipe nga qytetet tjera të Shqipërisë si Mirdita, Tirana, Kamza, Berati, Fieri, Lushnja, Vau i Dejës, Shkodra etj.
Zjarrfikësit duke bërë përpjekje për të lokalizuar zjarret.
Banesa dhe biznese po konsiderohen të rrezikuara nga zjarri që është përhapur në qytetin bregdetar të Shëngjinit në Shqipëri.
“Me mjetet dhe efektivët zjarrfikës po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve. Deri tani është bërë e mundur që këto objekte të mos preken nga zjarri”, thuhet në njoftimin e prefekturës.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Taulant Balla, ka shkruar në rrjetin social Facebook se situata është tepër e vështirë.
“Policia e Shtetit, përmes Forcës Kombëtare të Sigurisë, po evakuon banorët", ka bërë të ditur Balla mbrëmë pas mesnate.
Një ditë më parë, Ministria shqiptare e Mbrojtjes njoftoi se në 24 orët e fundit ishin verifikuar 30 vatra zjarri, nga të cilat 22 janë shuar.
Vatra zjarri janë regjistruar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Mbrëmjen e së hënës është shuar zjarri në fushën e grumbullimit të mbeturinave në periferi të Vlorës, që ishte aktiv prej disa ditësh. Për vënien nën kontroll të kësaj vatre zjarri është nevojitur ndërhyrja e ushtrisë.
Re tymi janë parë edhe në malet e Velipojës që po ashtu është zonë turistike. Autoritetet në Shqipëri kanë deklaruar se 1.300 zjarrfikës në gjithë vendin nuk e përballojnë situatën e krijuar nga përhapja e zjarreve.
Situatë e vështirë me zjarret ka qenë edhe në disa fshatra të bashkisë së Tropojës ku në ndihmë për luftimin e zjarreve atje u angazhuan edhe tre helikopterë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe një ekip nga Kosova.