Shëndetësia nuk trajtohet si pjesë e ekonomisë

QKUK

Kosova nuk ka ndonjë strategji që trajton sistemin shëndetësor si pjesë përbërëse të ekonomisë, thonë në Qeverinë e Kosovës. Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte rekomanduar që investimet në shëndetësi dhe mirëqenie të ngërthejnë në vete edhe sektorë të ndryshëm që ndërlidhen me shëndetësinë.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Uran Ismaili i tha Radios Evropa e Lirë se deri më tash nuk është trajtuar shëndetësia si pjesë përbërëse e ekonomisë. Sipas tij, gjatë viteve të ardhshme do t’i japin edhe këtë dimension këtij sistemi, në mënyrë që investimet që bëhen, të mos shihen vetëm për sektorin e shëndetësisë, por edhe si investime strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Investimet që theksohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë janë investime që kanë të bëjnë me zhvillimin e hershëm të fëmijëve, për shkak se rritë produktivitetin e atij personi me dekada me radhë në tregun e punës”.

“Gjithashtu, sigurimet shëndetësore të cilat e ulin varfërinë e qytetarëve të Kosovës, derisa ndikojnë direkt edhe në politikën e kursimeve të tyre. Prandaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë trajton temat të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe për rritjen e të hyrave për popullatën tonë”, tha Ismaili.

Në anën tjetër, Christoph Hamelmann nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se sektori i shëndetësisë do të duhej të trajtohet si pjese përbërëse e ekonomisë.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë e sheh sistemin e shëndetësisë në një mënyrë gjithëpërfshirëse, dhe politikat të cilat janë në lidhje me investimet në shëndet dhe mirëqenie, duhet të ngërthejnë në vete sektorë të ndryshëm, si ato në arsim e mjedis, e të cilat kontribuojnë në përmirësimin dhe avancimin e shëndetit”, tha Hamelmann.

Ardita Tahirukaj nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë ka theksuar faktin se si organizatë nuk kanë bërë asnjëherë ndonjë hulumtim për situatën aktuale, sa i përket ndërlidhjes së sektorit të shëndetësisë me politikat e tjera sektoriale. Ajo tha se tashmë nga zyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës është bërë plan strategjik ku është paraparë përfshirja e çështjeve që kanë të bëjnë me shëndetin.

“Në bazë të prezantimit nga zyra për planin strategjik, nga zyra e kryeministrit është bërë një strategji ku parashihet që vitin e ardhshëm përfshirja e shëndetit të bëhet edhe në planin zhvillimor të Kosovës me masa shumë konkrete për avancimin e shëndetit”, tha Tahirukaj.

Sidoqoftë, buxheti për shëndetësi i cili është rreth 180 milionë euro, sipas ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili, ka qenë i pamjaftueshëm për të zhvilluar politika të rekomanduara, por që siç thotë ai, buxheti për vitin e ardhshëm është rritur në 200 milionë euro dhe se është një trend pozitiv, i cili do të mundësojë që të zhvillohen politika, që do t’i mbushin disa zbrazëtira që janë krijuar me vite.