Ekskluziviteti në Shën Stefan dhe Milloçer nuk ekziston më dhe ai tashmë është zëvendësuar me turizëm masiv ku plazhet janë “të lira”, tha për Radion Evropa e Lirë, Dragani, që është banor i kësaj zone.
“Dhe ata që ‘çliruan’ këto plazhe nuk i shfrytëzojnë ato. Më lejoni vetëm t’ua rikujtoj: ne, vendasit nuk jemi larë asnjëherë në plazhet që kanë qenë për pushuesit, këto plazhe për 40 vjet gjithmonë kanë qenë për pushuesit e hoteleve tona ekskluzive, ashtu siç sugjerojnë edhe emrat e tyre”, shtoi Dragani.
Pasi pronari i Adriatic Properties dhe operatori hotelier Aman Resorts njoftuan se gjatë kësaj sezone nuk do të hapin hotelet në Shën Stefan dhe Milloçer, hyrja në këto plazhe të hoteleve është e hapur. Plazhet nuk janë të rregulluara, nuk kanë çadra dhe në brendësi të hoteleve llixhat, restorantet, kafenetë dhe objektet e tjera shoqëruese janë mbyllur.
Këto janë plazhe ekskluzive në Rivierën e Budvës, që për dekada të tëra kanë qenë të destinuara vetëm për mysafirët e hoteleve, të cilët kanë paguar mijëra euro për një natë. Aty mund të pushonin edhe qytetarë të tjerë, por duhej që të paguanin çmime astronomike, ku karriget e plazhit dhe një çadër kushtonin 120 euro në ditë.
Vendimit për të mbyllur hotelet i paraprin disa protesta në fillim të vitit nga banorët vendas, të cilët u mbështetën edhe nga qeverisja lokale e Budvës, komunë që udhëhiqet partia pro-serbe, Fronti Demokratik. Pas protestave u hoqën rrethojat e vendosura në hyrje të hoteleve dhe plazheve.
Ata kundërshtuan ndërtimet e reja brenda hotelit pranë Plazhit të Mbretëreshës, ku po investonte Adriatic Properties, dhe kërkuan që të ketë qasje të pakushtëzuar në plazhet e këtij hoteli.
Kjo kërkesë është përmendur si arsye nga Adriatic Properties për mbylljen e Shën Stefanit dhe Milloçerës, pasi, siç thanë nga kjo kompani, ata nuk mund të garantojnë qetësi dhe diskrecion për mysafirët e tyre, bazuar në ofertën e tyre turistike.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq tha se vetëm një qeveri absolutisht e papërgjegjshme ka bërë që pjesë e ofertës turistike të jetë edhe Plazhi i Mbretëreshës, gjë që sipas tij është e barabartë me tallje dhe që sipas tij, Mali i Zi të humbë një investitor.
“Ne besojmë, që e keni parë edhe në rrjetet sociale, se si duket pjesa kryesore e bregdetit në Plazhin e Mbretëreshës. Aty shiten birra dhe qebapë për një euro”, tha Gjukanoviq.
Aman Resorts dhe Adriatic Properties po shqyrtojnë mundësinë që të largohen nga Mali i Zi dhe dërgimi i çështjes në arbitrazh, ashtu siç e la të kuptohet presidenti Gjukanoviq, mund të nënkuptojë që nëse shteti e humb rastin, atëherë këta investitorë do të kërkonin dëmshpërblim të paktën 100 milionë euro.
Ditët e errëta të turizmit në Mal të Zi
“Kjo është një errësirë e re e Shën Stefanit, e treta në 30 vjetët e fundit”, tha për Radion Evropa e Lirë, dekani i Fakultetit të Biznesit dhe Turizmit në Budva, Rade Ratkoviq, teksa komentoi mbylljen e hoteleve dhe plazhet e parregulluara.
Ai theksoi se me hapjen e qytezës-hotel të Shën Stefanit më 1960 kishte nisur një epokë e re e zhvillimit të turizmit malazez, sepse hoteli i qytetit fitoi famë botërore dhe ishte pasardhës i hoteleve që sot njihen si hoteleve të konceptit Boutique– një vendpushim luksoz dhe çdo turisti i ofrohet privatësia dhe shërbim individual.
Ratkoviq shtoi se Shën Stefani ka operuar me fitim deri në vitin 1990, kur dhe pati mungesë të turistëve elitë, për shkak të luftërave dhe sanksioneve.
“Ajo ishte errësira e parë e Shën Stefanit dhe e dyta ishte kur u dha me qira një biznesmeni pronar i bankës së kursimeve, Jugoskandik, Jezdimir Vasileviq i cili shkatërroi kursimtarët në Mal të Zi dhe Serbi. Tani është muzgu i tretë, ku është trishtuese të shohësh të mbyllura hotele dhe plazhe që tani po duken si ‘pazar’”, tha Ratkoviq.
Çfarë thonë vendasit?
Shumica e vendasve nuk kanë pranuar të flasin publikisht nëse plazhet elitare duhet të jenë të destinuara vetëm për ata që kanë para. Siç thanë banorët, të cilët folën jozyrtarisht për REL-in, shumica e pronarëve të pronave kanë apartamente që i lëshojnë me qira, por kanë edhe interesa personale për qasjen të pakufizuar në plazhet e hoteleve.
Dragani beson se problemi mund të zgjidhet nëse turizmi udhëhiqet nga ata që e njohin këtë sektor. Ai po ashtu pyetet se pse vendasit hezitojnë që të flasin për këtë problem, por ai thotë se ky është sindromë i një vendi të vogël, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin.
“Ata mendojnë se do të hidhërohen me njëri-tjetrin. Ju e shihni se të gjithë janë të ndarë, të gjithë janë të lodhur nga grindjet dhe argumentet”, thotë ky banor lokal.
Your browser doesn’t support HTML5
Megjithatë, Maria beson se imazhi aktual i kësaj pjese të Rivierës së Budvës, nuk do ta dëmtojë imazhin e përgjithshëm të tij.
“Unë jam vendase dhe nuk mund të jem në asnjë anë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund, por mendoj se kjo nuk do të ndikojë në imazhin e Shën Stefanit”, thotë ajo.
Velko, i cili që 40 vjet punon në hotelin e Shën Stefanit, kujton se në Shën Stefan dhe Milloçer gjithmonë ka pasur rregulla, të cilat kanë siguruar një standard të lartë të turizmit. Por, ai beson se pas ndalimit të hyrjes në plazhe nga Adriatic Properites, është dashur të gjendej një kompromis ndërmjet ekskluzivitetit dhe kërkesave të disa qytetarëve.
“Vitin e kaluar, ne pamë se në këto plazhe kishte pak turistë dhe këtë vit, plazhi u mbush plot, nuk ja vlen. Prandaj, ne duhet të gjejmë modaliteti për ta rregulluar më mirë shfrytëzimin e asaj hapësire. Mendoj se është e lehtë sepse zgjidhje veçse ekzistojnë diku tjetër dhe ne thjesht duhet t’i aplikojmë ato. Por, normalisht, dikush duhet të qëndrojë prapa (këtyre vendimeve)”, thotë ai.
Çfarë thonë turistët?
Sandra nga Beogradi ka vendosur që pushimet e verës t’i kalojë në Budvë, por që kur ajo mori vesh që hyrja në Plazhin e Mbretëreshës në Milloçer ishte pa para, ajo vendosi që të vijë në këtë plazh së bashku me familjen e saj.
“Isha këtu edhe vitin e kaluar dhe karriget (e plazhit) ishin rreth 100 euro, në kohën kur në këtë shtet kishte shpërthyer pandemia e koronavirusit. shpresoj që hotelet do të hapen sërish dhe ky plazh sërish të jetë ekskluziv sepse Shën Stefani dhe Milloçeri me të vërtetë e meritojnë një gjë të tillë”, thotë ajo.
Për Ratkon nga Bosnjë e Hercegovina, hyrja falas në këtë plazh, është një lajm i mirë.
“Kur diçka është falas, atëherë ekskluziviteti humbet, por nga ana tjetër fiton popullariteti sepse një grup turistësh do të vijnë dhe sërish do të shpenzojnë para”, thotë ky turist.
Një çift i ri nga Ukraina, Elena dhe Aleksandari, për herë të tretë po qëndrojnë në Mal të Zi. Ata thonë se janë të befasuar që hyrja në plazhet e Milloçerit është falas.
“Është një gjë e mirë për ne sepse nuk duhet të paguajmë 100 euro, por gjithashtu do të thotë se kjo hapësirë e vogël mbushet me njerëz. Sipas mendimit tim, në një plazh mund të jetë hyrja falas, ndërkaq plazhet e tjera mund të kenë çmime të larta dhe gjithçka do të jetë mirë”, thotë Elena.
“Pajtohem me bashkëshorten time. Por, nuk më pëlqen që në këtë zonë është ndërtuar kaq shumë gjatë pesë vjetëve të fundit që ne kemi vizituar këtë vend. Nëse vazhdon kështu, kjo perlë do të humbë”, shton Aleksandari.
Pasojat për këtë destinacion turistik
Që prej se është hapur, Shën Stefanin dhe Milloçerin e kanë vizituar presidentë, e figura të tjera si Sophia Loren, Carlo Ponti, Elizabeth Taylor, Bobby Fischer, Boris Spassky, Claudia Schiffer, Andrea Bocelli, Kirk Douglas, Sylvester Stallone dhe Robert De Niro.
Verën, para se të shpërthente pandemia, familja e David dhe Victoria Beckham kishte kaluar pushimet në këtë vend dhe më 2014, tenisti serb, Novak Gjokoviq ishte martuar në Plazhin e Mbretëreshës.
Profesori i Ekonomisë së Turizimit, Rade Ratkoviq vlerëson se do të jetë e vështirë që të kompensohen dëmet që do t’i shkaktojë turizmit të Malit të Zi, mbyllja e hoteleve në këtë vend. Ai shton se shpreson që të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që hotelet të hapen sërish vitin e ardhshëm.
“Sidoqoftë, kam frikë se gjithçka do të rezultojë në gjyq, në arbitrazh. Askush nuk ka zgjidhur asgjë në gjykatë, sepse fajtor deklarohet në gjykatë dhe kërkohet kompensimi i dëmit dhe problemi nuk zgjidhet. Është në interesin tonë që hotelet të jenë të hapura, dhe të ketë vende pune për njerëzit tanë që jetojnë atje”, thotë Ratkoviq.
Sipas Ratkoviqit, me mbylljen e Shën Stefanit dhe Milloçerit humb industria e turizmit, shteti i Malit të Zi, banorët vendas dhe punëtorët. Po ashtu, ky destinacion do të humbiste edhe pozitën që aktualisht ka para investitorëve të huaj.
“Kjo gjë mund të dobësojë besimin e tyre në Mal të Zi si një destinacion (turistik), kështu që investitorët e tjerë nuk do të vinin ose edhe të tjerë do të largoheshin. Thjesht, na bën një partner jo të besueshëm”, shton ai.
Hotelet në Shën Stefan, Milloçer dhe Plazhi i Mbretëreshës – që janë pjesët më të famshme turistike në Mal të Zi – u dhanë me qira më 2007 te kompania hoteliere nga Singapori, Aman Restorts për një periudhë 30-vjeçare. Më vonë kjo periudhë u zgjat deri në 42 vjet. Marrëveshja u bë në kohën kur qeveria qendrore dhe ajo lokale drejtoheshin nga Partia Demokratike Socialiste e Gjukanoviqit.
Këtë kontratë më vonë e mori përsipër kompania Adriatic Properties, që është në pronësi të biznesmenit grek, Petros Statis dhe Aman Resorts mbeti si operator i hotelit.
Hotelet, kryesisht janë në pronësi të qeverisë dhe janë të regjistruara në shoqërinë aksionare “Hoteli Shën Stefan”.
Qeverisja lokale, që përbëhet nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe lëvizja URA, në mbledhjet e mbajtura së fundmi kanë thënë se marrëveshja për këtë çështje ishte në dëm të interesave lokale dhe shtetërore.
Së fundmi autoriteti shtetëror që administron bregdetin, tha se do të rishikojë marrëveshjen e vitit 2007.