Shekerinska - gruaja e parë nga Ballkani Perëndimor me pozitë të lartë në NATO

Radmilla Shekerinska - Fotografi nga arkivi.

Pas gati dy dekadash si një lojtare e rëndësishme në skenën politike maqedonase, Radmilla Shekerinska është zyrtarja e parë nga Ballkani Perëndimor që merr pozitë të lartë në NATO.

Ajo luajti rol kyç në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në këtë aleancë ushtarake dhe si zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane paraqiti kandidaturën për anëtarësimin e këtij vendi në BE në vitin 2005.

Shekerinska, ish-ministre e Mbrojtjes, u zgjodh zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca më 19 nëntor.

Me këtë emërim, ajo bëhet zyrtarja më e lartë e deritanishme në aleancë e ardhur nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, por edhe nga një vend jashtë Bashkimit Evropian.

SHIKONI EDHE: Maqedonasja Radmilla Shekerinska emërohet zëvendëssekretare e NATO-s

Plotësimi i këtij posti ishte prioritet për sekretarin e përgjithshëm, Mark Rutte, i cili mori detyrën më 1 tetor, pas 14 vjetësh në krye të Qeverisë holandeze.

Disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën në kushte anonimiteti, i thanë Radios Evropa e Lirë se kishte një dëshirë të madhe që në këtë pozitë të vinte dikush nga Evropa Qendrore ose Lindore dhe të ishte grua.

SHIKONI EDHE: Si do të duket NATO-ja nën udhëheqjen e Ruttes?

Rutte tha më herët se prioritet i aleancës do të mbetet sigurimi i mbrojtjes së shteteve anëtare.

“Një gjë nuk do të ndryshojë dhe ky është misioni themelor i NATO-s: të sigurojë mbrojtjen e njerëzve tanë, të vendeve tona dhe të ardhmes sonë”, tha ai.

Shekerinska shërbeu si ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut nga viti 2017 deri më 2022.

Në pozitën e re, ajo do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin në detyrë të NATO-s, Boris Ruge.

Ai e mori detyrën përkohësisht këtë vjeshtë, pasi zëvendëssekretari i deriatëhershëm, Mircea Geoana, njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.

Shekerinska tha se do të jetë privilegj për të që të shërbejë si zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s nën udhëheqjen e Ruttes.

“Jam e përkushtuar të punoj me të gjithë aleatët drejt një aleance edhe më të fortë dhe më të sigurt”, shkroi Shekerinska në X.

Kandidatet e tjera për këtë pozitë përfshinin ish-ministren e Jashtme të Bullgarisë, Marija Gabriel, ish-presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, dhe ish-ministren e Mbrojtjes në Mal të Zi, Olivera Injac.

Ministria e Mbrojtjes ishte posti i fundit i Shekerinskës në Qeverinë e udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate (LSDM) në Maqedoninë e Veriut.

Radmilla Shekerinska i përshtatet në mënyrë të përkryer këtij profil".

Aktualisht, ajo është nënkryetare e Partisë së Socialistëve Evropianë.

Pas gati dy dekadash në poste të ndryshme, ajo u tërhoq gati tërësisht nga skena politike maqedonase në dhjetor të vitit 2021, kur LSDM-ja i humbi zgjedhjet lokale.

Ndërkohë që spekulohej për emrat e zëvendësshefit të ardhshëm të NATO-s, Majda Ruge, bashkëpunëtore e lartë e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, e vlerësoi Shekerinskën si një kandidate ideale.

“Për zëvendëssekretarin e përgjithshëm të ardhshëm, NATO-s do t’i duhet një person që është shumë kompetent, i guximshëm, mendon me zgjuarsi për Rusinë dhe i kupton sfidat në Ballkanin Perëndimor. Radmilla Shekerinska i përshtatet në mënyrë të përkryer këtij profili”, tha Ruge për gazetën Politico në Bruksel.

Rëndësia e rolit të zëvendëssekretarit të përgjithshëm është rritur gjatë dekadës së fundit.

Detyrë kryesore e tij është ta zëvendësojë sekretarin dhe t’i kryesojë mbledhjet e 32 ambasadorëve në Këshillin e Atlantikut të Veriut, ose çdo takim urgjent, përfshirë Këshillin NATO-Ukrainë.

Rol kyç në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s

Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s katër vjet më parë dhe Shekerinska luajti rol të rëndësishëm në rrugëtimin e saj.

Më 27 mars të vitit 2020, kur u ratifikua zyrtarisht pranimi i saj në aleancë, Shekerinska ishte ministre e Mbrojtjes.

Ky hap pasoi Marrëveshjen e Prespës që Shkupi dhe Athina e nënshkruan më 17 qershor të vitit 2018, me qëllim zgjidhjen e kontestit për emrin, që zgjati tri dekada.

Me atë rast, Maqedonia u riemërua Maqedoni e Veriut.

Në kohën kur Shekerinska ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, buxheti i mbrojtjes në këtë vend u rrit dhe standardet e ushtrisë u përmirësuan përmes ndryshimeve në ligj.

Karriera politike e Shekerinskës

Shekerinska hyri në politikë gjatë studimeve dhe u bë aktive në Partinë Socialdemokrate - një nga dy partitë më të mëdha në këtë vend - ku mbajti poste të larta dhe dikur u zgjodh kryetare.

Në moshën 26-vjeçare u bë për herë të parë deputete në Kuvendin e Maqedonisë dhe fitoi edhe tri mandate të tjera.

Në dhunën në Kuvend, që u bë e njohur si “E enjtja përgjakshme”, më 27 prill të vitit 2016, u plagos edhe Shekerinska.

SHIKONI EDHE: Dhunë në Kuvendin e Maqedonisë, Ivanov thërret liderët në takim

Ajo shërbeu edhe si zëvendëskryeministre dhe ministre për Integrime Evropiane.

Shekerinska ishte gruaja e parë që drejtoi një nga partitë më të mëdha politike në këtë vend, Bashkimin Social-Demokrat, nga viti 2006 deri më 2008.

Për një kohë të shkurtër, ajo udhëhoqi edhe Qeverinë maqedonase, si ushtruese e detyrës nga 18 nëntori deri më 17 dhjetor, 2004, pasi kryeministri i atëhershëm, Hari Kostov, dha dorëheqje nga posti.

Sukses i saj i madh ishte përgatitja e Maqedonisë së Veriut - gjatë mandatit të saj si zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane - për të paraqitur kandidaturën për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2005.

Si kryetare e Social-demokratëve, Shekerinska ishte edhe kandidate për kryeministre në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të vitit 2008, por nuk arriti ta mposhtte kryeministrin e atëhershëm, Nikolla Gruevski.

“Bëhu trim siç thua se je, mos ik nga fustani i gruas”, i tha Shekerinska Gruevskit gjatë një debati televiziv në atë kohë.

Radmila Shekerinska sa ishte ministre e Mbrojtjes.

Shekerinska, 52 vjeçe, është inxhiniere e diplomuar e Elektroteknikës dhe punoi si profesoreshë në Fakultetin e Elektroteknikës në Shkup për katër vjet dhe pastaj zgjodhi karrierën politike.

Në vitin 2007, ajo mori titullin master në Shkollën prestigjioze amerikane të diplomacisë dhe ligjit “Fletcher”.

Aktualisht, ajo është anëtare e Kryesisë së Partisë së Socialistëve Evropianë (PES), e cila bashkon partitë socialdemokrate, socialiste dhe të punës në Evropë.

Më 2009 dhe 2012 shërbeu si kryetare e misioneve vëzhguese të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Kirgizi dhe Armeni.

Qëndrimi ndaj pushtimit rus të Ukrainës

Në një intervistë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Shekerinska hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes është një “plan i keq i Perëndimit”.

...sovraniteti, ndër të tjera, nënkupton edhe lirinë për t’i zgjedhur aleatët".

Pastaj, në një intervistë më 18 maj të vitit 2022, ajo tha se teza se Rusia ka sulmuar Ukrainën pasi NATO-ja “e ka mashtruar” duke u zgjeruar në lindje, është tepër “e cekët” dhe e paargumentuar.

“Le të jemi të drejtpërdrejtë: NATO-ja nuk u zgjerua në Evropën Lindore si pjesë e një ‘plani të keq perëndimor’. Përkundrazi, anëtarët e mëdhenj të NATO-s, fillimisht, nuk kishin ndonjë oreks të veçantë për zgjerimin. Trysnia kryesore erdhi nga shtetet e reja të lira, të cilat theksuan se sovraniteti, ndër të tjera, nënkupton edhe lirinë për t’i zgjedhur aleatët”.

“Duke marrë parasysh historinë e asaj pjese të Evropës, nuk e di se kush do të befasohej nga vendimi i tyre për të kërkuar anëtarësimin në aleancën më të fuqishme ushtarake-politike, e cila mund t’i mbrojë nga agresioni i përsëritur rus”, tha Shekerinska në një intervistë për mediumin Vistinomer në Maqedoninë e Veriut.

Shekerinska pritet ta marrë pozitën në NATO në fillim të dhjetorit dhe të marrë pjesë në takimin e ardhshëm ministror të aleancës.

Përgatiti: Valona Tela