Shefi i Ushtrisë së Serbisë bisedon me komandantin e KFOR-it për sigurinë në Kosovë dhe rajon

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash (djathtas) dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, takohen në Beograd, 2 tetor 2024.

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd, për të biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

KFOR-i tha në një komunikatë të mërkurën pasdite se Ulutash dhe Mojsilloviq "ndanë qëndrime e tyre për gjendjen e sigurisë në rajon".

"Ata e theksuan rëndësinë e vazhdimit të komunikimeve dhe dialogut të hapur, sepse kjo është thelbësore për forcimin e sigurisë rajonale", thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ky takim ishte pjesë e takimeve të rregullta të Ulutashit me homologët e vet ushtarakë në Kosovë dhe rajon, sipas KFOR-it.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha në një komunikatë se Mojsilloviq tha në takim me Ulutashin se gjendja e sigurisë në Kosovë “është ende e paqëndrueshme dhe e ndjeshme, gjë që kryesisht kontribuohet nga lëvizjet e njëanshme dhe provokuese” të Kosovës.

Mojsilloviqi pretendoi, pa dhënë dëshmi, se vendimet e autoriteteve kosovare “në fund synojnë ndryshimin e strukturës etnike” në veri të Kosovës.

Serbia është zemëruar nga vendimet e muajve të fundit të autoriteteve kosovare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

LEXONI EDHE KËTO:

Qeveria konfirmon mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në veriKosova mbyll nëntë objekte të Postës së Serbisë, Beogradi e cilëson nxitje për konflikt

Autoritetet kosovare i cilësojnë ato se të jashtëligjshme dhe kundër kushtetuese, ndërsa Beogradi i ka dënuar si “veprime kriminale” dhe përpjekje “për përndjekjen e serbëve” të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar Kosovën për veprime “të njëanshme dhe të pakoordinuara” në veri të vendit.

Bashkëpunimi i Ushtrisë Serbe me KFOR-in

Ministria serbe e Mbrojtjes theksoi se gjatë takimit ndërmjet Mojsilloviqit dhe Ulutashit u diskutua edhe për shtrirjen e bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe KFOR-it gjatë mandatit të Ulutashit në krye të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Mojsilloviq falënderoi gjeneralin Ulutash për "bashkëpunimin korrekt dhe profesional dhe përfshirjen profesionale" në detyrat e tij si komandant i KFOR-it, thuhet në njoftim.

Ulutash do të përfundojë angazhimin e tij njëvjeçar në atë pozicion javën e ardhshme.

Komandanti i ri i KFOR-it do të jetë Enrico Barduani, një gjeneralmajori italian, i cili më 11 tetor do të marrë detyrën e njeriut të parë të misionit paqeruajtës në Kosovë.

SHIKONI EDHE: KFOR dhe Ushtria e Serbisë me patrullim të përbashkët në kufirin Kosovë-Serbi

Javën e kaluar, KFOR-i dhe Ushtria e Serbisë kryen një patrullë të sinkronizuar në dy anët e kufirit të Kosovës me Serbinë, pranë komunës së Podujevës.

Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e quan kufirin me Kosovën vijë administrative.

Zona e Sigurisë Tokësore mes Kosovës dhe Serbisë është prej 5 kilometrash dhe është përcaktuar në Marrëveshjen Teknike të Kumanovës.

Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.

Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës.