Një drejtuese e lartë e kompanisë kineze Huawei, që po mbahej në Kanada, do të mund të largohet pasi Qeveria amerikane hoqi dorë nga kërkesa për ekstradimin e saj.
Zyrtarja kryesore financiare e kompanisë, Meng Wanzhou u arrestua në dhjetor të vitit 2018 me kërkesë të SHBA-së.
Rasti i saj pati shkaktuar tensione në marrëdhëniet e Kinës me SHBA-në dhe Kanadanë. Ajo ka qenë subjekt i negociatave intensive mes diplomatëve amerikanë dhe kinezë.
Të premten Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DD) tha se kishte arritur një marrëveshje për të shtyrë ndjekjen penale.
SHIKONI EDHE: Kina dënon një kanadez me 11 vjet burgim për spiunimAutoritetet amerikane do të ndalojnë ndjekjen penale të zonjës Meng deri në dhjetor 2022 dhe se nëse ajo respektonte kushtet e vendosura nga gjykata, çështja përfundimisht do të mbyllej.
SHBA-ja pretendon se Meng e mashtroi bankën HSBC për raportet e Huaweit me një kompani të quajtur Skycom, duke e vënë bankën në rrezik të shkeljes së sanksioneve amerikane kundër Iranit.
Meng është vajza e madhe e miliarderit, Ren Zhengfei, i cili krijoi Huawein më 1987. Kjo është njëra ndër kompanitë e teknologjisë më të mëdha në botë.
Biznesmeni Zhengfei ka shërbyer në ushtrinë kineze për nëntë vjet, deri në vitin 1983, dhe është gjithashtu anëtar i Partisë Komuniste Kineze.
SHBA-ja dhe vendet tjera perëndimore disa herë e kanë akuzuar Huawein se i përdorë pajisjet për spiunazh dhe të dhënat i ndan me qeverinë kineze, por kompania i mohon akuzat.
Në vitin 2019, SHBA vendosi sanksione ndaj Huawei dhe e vendosi atë në një listë të zezë të eksportit.
Disa ditë pasi zonja Meng u arrestua, Kina arrestoi dy shtetas kanadezë, Michael Spavor dhe Michael Kovrig, mbi dyshimet për spiunazh.
Kritikët e kanë akuzuar Kinën se arrestimet i ka bërë në kuadër të asaj që njihet si "diplomacia e pengjeve". Kina e mohon këtë.