Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka akuzuar Moskën për zhvillimin e një “fushate të qëllimshme” të mizorive në qytetin ukrainas, Buça.
Këto deklarata vijnë disa ditë pas publikimit të të dhënave që sugjerojnë se dhjetëra civilë u vranë nga forcat ruse, të cilat e kishin pushtuar këtë zonë. Moska tërhoqi trupat nga Buça në fillim të prillit.
“Çfarë kemi parë në Buça nuk është një veprim i rëndomtë i ndonjë njësie ushtarake që ka vepruar krye në vete”, tha Blinken për gazetarët më 5 prill, teksa u nis drejt Brukselit, ku të mërkurën dhe të enjten do të takohen ministrat e Jashtëm të NATO-s.
“Kjo ishte një fushatë e qëllimshme për të vrarë, torturuar, dhunuar dhe për të kryer mizori. Raportimet janë të besueshme, të dhënat janë aty që bota t’i shohë”, shtoi ai.
- Zelensky thotë se vrasjet në Buça duhet të njihen si gjenocid
- Dënohen mizoritë e dyshuara në Ukrainë
- Banorët e Buçës: Forcat ruse "i vranë njerëzit sistematikisht"
Blinken nuk ofroi asnjë dëshmi për të mbështetur këto pretendime.
Pasi trupat ruse u tërhoqën nga Buça, që gjendet në veriperëndim të Kievit, zyrtarët ukrainas me të arritur gjetën dhjetëra trupa të civilëve të vrarë nëpër rrugët dhe shtëpitë e këtij qyteti.
Pamjet e tmerrshme të trupave të pajetë, ku disa prej tyre kishin të lidhur duart pas shpine, nxitën dënim ndërkombëtar të Rusisë, e cila mohon se forcat e saj kanë kryer vrasjet dhe i quan “të rreme” këto akuza.