Trupat amerikane që janë të pozicionuara në verilindje të Sirisë, u bën cak i sulmeve që u kryen nga pozicionet turke, teksa forcat e Ankarasë vazhduan sulmin e tyre kundër luftëtarëve kurdë të Sirisë, që janë aleatë të Shteteve të Bashkuara.
Pentagoni më 11 tetor konfirmoi raportimet e mëhershme që thanë se një shpërthim ndodhi në afërsi të qytetit Koban, duke ilustruar kështu rrezikun e trupave amerikane dhe atyre turke, që pa dashje mund të përfshihen në një konflikt në këtë rajon, ku tensionet janë të larta.
“Shpërthimi ndodhi vetëm disa qindra metra larg nga zona e Mekanizmit të Sigurisë dhe nga një zonë ku janë prezentë forcat amerikane dhe turke”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Kapiteni i Marinës, Brook DeWalt.
SHIKONI EDHE: Operacioni turk: Rritet numri i viktimave dhe të zhvendosurveDeWalt tha se asnjë ushtar nuk është lënduar dhe se forcat amerikane pas këtij incidenti, nuk janë tërhequr nga qyteti Koban.
Pas incidentit, Pentagoni theksoi nevojën që Turqia të shmangë rrezikimin e ndonjë prej njëmijë forcave amerikane që gjenden brenda Sirisë, teksa Ankraja vazhdon ofensivën e saj ndaj luftëtarëve kurdë sirianë, që mbështeten nga SHBA-ja.
“Ushtria turke është në dijeni – deri në detajet më të sakta të koordinatave – të lokacioneve të sakta të forcave amerikane”, tha gjenerali amerikan, Mark Milley, që është kryetar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane.
“Të gjithë janë në dijeni se ne jemi Ushtria e Shteteve të Bashkuara. Ne kemi të drejtën të vetëmbrohemi”, tha Milley.
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë tha se trupat e saj u janë përgjigjur një sulmi që ka pasur origjinën në afërsi të vendndodhjes të Ushtrisë amerikane në Kobani, por tha se ndërmori hapa që të sigurohet që trupat amerikane të mos goditeshin.
“Sulmi u ndalua si rezultat i çështjeve që lidheshin me SHBA-në”, tha kjo ministri.
Brett McGruk, ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së në këtë rajon – i cili dha dorëheqje nga ky post në dhjetor -tha se shpërthimi që ndodhi në Kobani nuk ishte aksident.
“Forcat turke kanë sulmuar mbi një post tashmë të ditur të Ushtrisë amerikane në veri të Sirisë. Turqia i di të gjitha lokacionet tona deri në detaje. Ky nuk është një gabim”, tha McGruk, i cili po ashtu akuzoi presidentin amerikan, Donald Trump se ka tradhtuar kurdët sirianë, aleatë të Uashingtonit.
Më 6 tetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi për vendimin e Trumpit që të tërheqë forcat amerikane nga zonat përgjatë kufirit Siri-Turqi, duke lënë në një pozitë të pafavorshme forcat kurde, të cilat tash po përballen me një ofensivë të Turqisë.
Shtetet e Bashkuara kanë rreth njëmijë trupa në Siri dhe 50 prej tyre janë tërhequr nga zona kufitare dhe janë dërguar në pjesë të tjera të Sirisë “ku nuk janë nën breshërinë e armëve”, ka deklaruar më 7 tetor, një zyrtar i administratës amerikane.
Njësitet Kurde për Mbrojtjen e Popullit (YPG), që dominojnë në kuadër të Forcave Demokratike Siriane (SDF) në verilindje të Sirisë, kanë qenë aleatë kyç të SHBA-së në mposhtjen e grupit militant Shteti Islamik.
Megjithatë, Ankaraja i cilëson ata organizatë terroriste për shkak të lidhjeve që kanë me militantët kurdë, të cilët kanë luftuar për tri dekada për autonomi brenda territorit të Turqisë.
Forcat turke janë duke u futur në brendësi të territorit sirianë, teksa luftojnë kundër kurdëve, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare që Turqia të ndërpresë këtë operacion.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper më 11 tetor tha se ai dhe zyrtarët e tjerë amerikanë “i kanë bërë thirrje Turqisë të ndërpresin këtë sulm”, duke shtuar se edhe disa anëtarë të tjerë të NATO-s kanë bërë të njëjtën gjë.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin ka paralajmëruar se sanksione të reja janë duke u përgatitur dhe se do të vendosen ndaj Ankarasë, nëse Turqia vazhdon të ndërhyjë Siri.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme turke u përgjigj se “askush nuk duhet të ketë dyshime se Turqia do të përgjigjet ndaj sanksioneve të mundshme amerikane, brenda kornizës së reciprocitetit të plotë”.
Ndërkaq, Rusia tha se ka bllokuar një draft-deklaratë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku bëhej thirrje që Turqia të ndërpresë operacionin ushtarak. Sipas një diplomati, që ka folur për AFP-në, Kina ka mbështetur përpjekjen e Moskës për të bllokuar këtë deklaratë.
Në versionin e parë të deklaratës bëhej thirrje që Ankaraja t’i kthehet diplomacisë për shkaqe të sigurisë. Por, në versionin përfundimtar kërkohej ndalimi i operacionit të Ankarasë, pas argumenteve të paraqitura nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.