SHBA: Rusia do t’i ofrojë Koresë Veriore ushqim, në këmbim të armëve

Armët e Koresë së Veriut gjatë stërvitjeve ushtarake.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Rusia do ta dërgojë një delegacion në Korenë Veriore, për të ofruar ushqim, në këmbim të armëve.

Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se një marrëveshje potenciale e armëve, në mes të Koresë Veriore dhe Rusisë, do të përbënte shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar më parë Korenë Veriore për furnizim të Rusisë me armë në Ukrainë, por edhe të mercenarëve të grupit rus Wagner.

SHIKONI EDHE: Vdekjet e pjesëtarëve të Wagner-it po u fshihen familjarëve në Rusi

Pheniani i pati hedhur poshtë këto pretendime.

Kirby ka thënë në një konferencë për media se SHBA-ja ka informacione të reja për marrëveshjen.

“Ne e kemi kuptuar që Rusia është duke tentuar të dërgojë një delegacion në Korenë Veriore dhe që Rusia është duke i ofruar Koresë Veriore ushqim, në këmbim të municioneve”, ka thënë ai.

Zëdhënësi për Siguri ka thënë se SHBA-ja është duke e vëzhguar nga afër situatën.

Koreja Veriore është një prej shteteve më të varfra në botë dhe është përballur me mungesa kronike të ushqimit për dekada.

SHIKONI EDHE: Sa i ndihmojnë Rusisë armët e Koresë së Veriut?

Në muajin shkurt, ekspertët kanë paralajmëruar që ky shtet, i cili ka një prej regjimeve më autoritare në botë, është duke u përballur me krizë ushqimore për shkak të rënies së madhe të prodhimit – kryesisht për shkak të kushteve klimatike, kontrolleve strikte kufitare, dhe ndikimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Imazhet satelitore nga autoritetet jugkoreane tregojnë se verikoreanët kanë prodhuar 180.000 tonë ushqim më pak më 2022, në krahasim me vitin 2021.

Një ditë më parë, më 30 mars, Departamenti amerikan i Thesarit e ka sanksionuar një sllovak për shkak se ka shërbyer si ndërmjetësues në mes të Rusisë dhe Koresë Veriore.

Sipas Thesarit, Ashot Mkrtychev ka ndërmjetësuar marrëveshje që do t’i mundësonte Koresë Veriore dërgimin e armëve në Rusi, në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023.

Në këmbim të armëve, Pheniani ka pranuar para, aeroplanë komercialë dhe lëndë të parë.