Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë e ka kritikuar vendimin e një gjykate në Rusi për të zgjatur masën e paraburgimit për gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva deri më 5 qershor.
Sipas Ambasadës, shtypja që po u bën shteti mediave të pavarura është “e papranueshme”,
Kurmasheva, gazetare në selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë, e cila ka shtetësi amerikane dhe ruse, është në paraburgim në Rusi prej 18 tetorit të vitit të kaluar nën akuzat për shkelje të të ashtuquajturit ligjit për “agjentët e huaj”.
Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane besojnë se akuza është hakmarrje për punën e saj si gazetare për Radion Evropa e Lirë.
Ajo ka udhëtuar në Rusi për të vizituar nënën e saj të sëmurë dhe fillimisht është ndaluar sa ka qenë duke pritur për fluturimin e kthimit, më 2 qershor, në një aeroport në Kazan të Rusisë, ku i janë konfiskuar pasaportat.
SHIKONI EDHE: Kryediplomati çek në OKB kërkon lirimin e gazetares së REL-it të arrestuar në RusiNjë gjykatë në Kazan ia ka vazhduar asaj më 1 prill masën e paraburgimit edhe për dy muaj, dhe e ka refuzuar kërkesën e avokatëve të Kurmashevas për shndërrim të masës në arrest shtëpiak.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për ndalimin e Alsu Kurmashevas në Federatën Ruse, masë që e ka vazhduar gjykata”, ka thënë ambasadorja amerikane Lynne Tracy përmes një postimi në X, të njohur më parë si Twitter.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë qasje konsulore. Shkelja që po u bën Kremlini lirisë së mediave në Rusi është e papranueshme”.
Para vendimit të gjykatës, Kurmasheva u ka thënë gazetarëve se nuk ndihet “shumë mirë fizikisht” dhe se kushtet e jetesës janë “shumë të këqija”.
Ajo ka thënë se po i ofrohet kujdes “minimal” shëndetësor dhe se kushtet në qelinë e saj janë primitive.
Kurmasheva, 47-vjeçare, është arrestuar në Kazan të Rusisë, në tetor të vitit të kaluar, dhe është akuzuar kinse për dështim që të regjistrohet si agjente e huaj, sipas ligjit rus që shënjestron gazetarët, aktivistë të shoqërisë civile, dhe pjesëtarë tjerë të shoqërisë ruse.
Ajo është akuzuar edhe për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse dhe nëse dënohet për këtë pikë, ajo përballet me mbi 10 vjet burgim.
Shumë kritikë dhe grupe për të drejta të njeriut e konsiderojnë ligjin për agjentë të huaj, si tentim të Kremlinit për t’i shtypur disidentët.
Moska është akuzuar edhe për ndalim të amerikanëve për t'i përdorur për këmbim të rusëve të burgosur në Shtetet e Bashkuara.