Biden dënon sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka dënuar sulmet hakmarrëse nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor.

Ai tha se po dyfishon përkushtimin e tij në punën për zgjidhjen me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit shumëvjeçar midis Izraelit dhe palestinezëve.

Biden tha se sulmet “nga kolonët ekstremistë” po i hedhin më shumë benzinë zjarrit në Lindjen e Mesme, ku situata është tensionuar që nga sulmet e Hamasit.

“Kjo duhet të ndalet. Ata duhet të mbahen përgjegjës”, tha Biden, gjatë konferencës për media së bashku me kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, i cili po viziton Uashingtonin.

Dhuna e kolonëve kundër palestinezëve është intensifikuar që nga sulmet e Hamasit dhe kolonët kanë vrarë palestinezë, kanë thënë autoritetet palestineze. Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se kolonët kanë djegur vetura dhe kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduinësh, duke i detyruar ata të evakuohen në vende të tjera.

Konsorciumi për Mbrojtjen e Bregut Perëndimor – koalicion i organizatave joqeveritare dhe shteteve donatore, përfshirë edhe Bashkimin Evropian – tha se qindra palestinezë janë zhvendosur me forcë në Bregun Perëndimor për shkak të dhunës së kolonëve që nga 7 tetori.

SHIKONI EDHE: Izraeli i ashpërson bombardimet në Gazë

Dhuna vdekjeprurëse ka mbërthyer Bregun Perëndimor, përderisa ushtria izraelite po ndjekë militantët palestinezë pas sulmit të Hamasit nga Gaza.

Dhuna po kërcënon që të hapet edhe një front i ri në luftën tashmë dyjavore mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Biden sërish dënoi sulmet e Hamasit që kanë lënë të vrarë 1.400 izraelitë.

Presidenti amerikan tha se pasi të përfundojë konflikti Izrael-Hamas, Izraeli, palestinezët dhe partnerët e tyre duhet të punojnë në zgjidhjen me dy shtete.

“Kur të përfundojë kriza, duhet të ketë një vizion se çfarë do të ndodhë më pas. Ne mendojmë se duhet të jetë zgjidhja me dy shtete”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, tha se mbi 6.500 palestinezë janë vrarë gjatë sulmeve hakmarrëse të Izraelit. Biden tha se është kritike që Izraeli të ketë kujdes gjatë përgjigjes së tij që të minimizojë numrin e viktimave në mesin e civilëve.