Shtëpia e Bardhë: Irani mund të kryejë sulme ndaj Izraelit gjatë kësaj jave

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby. Fotografi nga arkivi

Irani mund të kryejë sulme “domethënëse” ndaj Izraelit gjatë kësaj jave, tha Shtëpia e Bardhë më 12 gusht, teksa presidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar për krizën në Lindjen e Mesme me udhëheqësit evropianë.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për atë që mund të jenë një seri e sulmeve domethënëse”, tha për gazetarët zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare amerikane, John Kirby.

“Ne ndajmë të njëjtat shqetësime dhe pritje sikurse homologët tanë izraelitë sa i përket kohës së mundshme [të ndonjë sulmi iranian], që mund të ndodhë këtë javë”, shtoi Kirby.

Deklaratat e Kirbyt u bënë në kohën kur SHBA-ja dërgoi një luftanije dhe një nëndetëse në rajonin e Lindjes së Mesme për të treguar mbështetje për Izraelin.

Irani dhe grupi libanez, Hezbollah – që është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – janë zotuar se do të hakmerren ndaj Izraelit.

SHIKONI EDHE:

Një luftë Iran-Izrael mund ta çojë rajonin "në pikën më të rrezikshme"Irani thotë se nuk do përshkallëzim rajonal, por Izraeli “duhet të ndëshkohet”

Ata kanë thënë se do të hakmerren për vrasjen muajin e kaluar të shefit politik të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – Ismail Haniyeh në Iran, dhe të komandantit të Hezbollahut, Fuad Shkur në Bejrut.

Biden ka biseduar me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë të hënën lidhur me rritjen e tensioneve, shtoi Shtëpia e Bardhë.

Biseda telefonike “gjerësisht ishte përsëritje e atyre që udhëheqësit kanë thënë më parë, në kuptimin e riafrimimit të mbrojtjes së Izraelit” dhe “dërgimit të mesazhit të fuqishëm se ne nuk duam të shohim rritje të dhunës, nuk duam të shohim sulme nga Irani apo bashkëpunëtorët e tij”.

Udhëheqësit po ashtu kanë bërë thirrje për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, të cilët po luftojnë që nga 7 tetori.

Lufta në Gazë u nxit nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë më shumë se 1.200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë rreth 40.000 palestinezë.