Qeveria izraelite i ka avancuar planet për të ndërtuar rreth 5.700 shtëpi të reja në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ky njoftim vjen pavarësisht presionit amerikan për të ndaluar zgjerimin e vendbanimeve, pasi diçka të tillë e sheh si pengesë për paqe me palestinezët.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Uashingtoni është “thellësisht i shqetësuar” nga këto zhvillime.
Katër izraelitë të zhvendosur në ato zona janë qëlluar për vdekje nga palestinezët javën e kaluar, duke nxitur dhunë për disa ditë.
Grupi militant palestinez Hamas ka thënë se sulmuesit ka qenë pjesëtarë të tij.
SHIKONI EDHE: OKB: Dhuna në Bregun Perëndimor mund të dalë jashtë kontrollitDhuna në mes të palestinezëve dhe izraelitëve ka shpërthyer prej kur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e ka fituar mandatin në pushtet, vitin e kaluar.
Koalicioni i tij nacionalisto-fetar është zotuar për të zgjeruar prezencën në Bregun Perëndimor.
Sipas grupit izraelit kundër zgjerimit, Paqja Tani, në gjashtë muajt e fundit janë parë duke u ndërtuar më shumë se 13.000 shtëpi në Bregun Perëndimor – rreth tri herë më shumë sesa shifra totale e vitit të kaluar.
“Qeveria izraelite është duke ecur me hap të pashembullt drejt aneksimit të plotë të Bregut Perëndimor”, ka thënë organizata përmes një deklarate.
Shumica e shteteve i konsiderojnë vendbanimet në atë zonë – të ndërtuara në tokën e pushtuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967 – si ilegale, sipas ligjit ndërkombëtar.
Izraeli nuk pajtohet me një vlerësim të tillë.